Site icon Telegrafi

Gjykata e Apelit ia zbutë dënimin të akuzuarve për sulm ndaj gazetarit Valon Sylës

Gjykata e Apelit ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës në lidhje me lartësinë e dënimit për Lum Dervishin, Okan Hasanin dhe Kenan Hasanin, të akuzuar për lëndim të lehtë trupor ndaj gazetarit Valon Syla.

Sipas vendimit të Gjykatës së Apelit, të akuzuarit janë dënuar secili me një (1) vit e gjashtë (6) muaj burgim, me llogaritjen e kohës së kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak nga 12 prilli deri më 7 dhjetor 2023. Gjyqtarët Kreshnik Radoniqi (kryetar), Vaton Durguti dhe Mentor Bajraktari, e kanë marrë këtë vendim.

Gjykata e Prishtinës, më 7 dhjetor 2023, kishte vendosur dënimin me dy (2) vite burgim për secilin nga të akuzuarit, për rrahjen e gazetarit Valon Syla më 11 prill 2023 në Prishtinë. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte apeluar aktgjykimin, duke kërkuar dënim më të lartë, ndërsa avokatët e të akuzuarve kërkuan dënim më të butë.

Gjykata e Apelit e gjeti të bazuar pjesërisht ankesat e mbrojtjes, ndërsa atë të Prokurorisë e konsideroi të pabazuar. Në vendimin e saj, Gjykata e Apelit vlerësoi se aktgjykimi i ankimuar nuk kishte shkelje esenciale të procedurës penale. Mbrojtësit kishin argumentuar se Gjykata e shkallës së parë kishte shkelur kompetencën e Departamentit Special, por Apeli e refuzoi këtë pretendim duke theksuar se Prokuroria Speciale kishte zhvilluar hetime në lidhje me nxitjen e përçarjes dhe mosdurimit, që ishte në kundërshtim me rendin kushtetues.

Gjykata e Apelit konfirmoi se provat e administruara nga Gjykata e shkallës së parë ishin të mjaftueshme për të vërtetuar se të akuzuarit kishin sulmuar gazetarin për shkak të postimeve të tij në rrjetet sociale, të cilat kishin motive fetare. Ndërkohë, ajo e konsideroi të pabazuar kërkesën e Prokurorisë për një dënim më të ashpër, pasi nuk u paraqitën rrethana të reja që do të justifikonin një ndëshkim më të lartë.

Sidoqoftë, Gjykata e Apelit gjeti se Gjykata e shkallës së parë kishte bërë një gabim duke e konsideruar motivin fetar si rrethanë rënduese, duke e klasifikuar atë si element kualifikues të veprës penale, dhe kështu e miratoi uljen e dënimit për të akuzuarit./Telegrafi/

Exit mobile version