Tregu kosovar mbetet prioritet për Partizanin, sa i përket merkatos së dimrit.
Madje, thuhet se të kuqtë kanë piketuar gjashtë lojtarë nga Kosova për këtë periudhë të lëvizjes së futbollistëve.
Sipas zërave të merkatos, dy nga dëshirat e të kuqve bëjnë pjesë në klubin e Gjilanit, pikërisht mbrojtësi i djathtë, Armend Thaçi, si dhe mesfushori me tipare sulmuese, Betim Haxhimusa.
Por të kuqtë nuk do ta kenë të thjeshtë realizmin e misionit të tyre, pasi drejtuesit e Gjilanit kanë vendosur bllokadë për lojtarët e tyre, gjë e cila u bë e ditur nga një njoftim për shtyp i klubit kosovar, ku mes të tjerash shkruhet:
“Kryesia e Gjilanit ka diskutuar për zhvillimet e fundit që kanë të bëjnë me interesimin e klubeve nga rajoni për lojtarët e klubit tonë, që janë bërë shumë atraktivë për klubet nga Shqipëria dhe Maqedonia”.
“Duam t’i informojmë të gjitha klubet e interesuara për lojtarët tanë të përfolur nëpër media, se ata kanë kontrata të vlefshme me klubin tonë dhe së asnjë komunikim individual me ndonjërin prej tyre nuk do të jetë i mjaftueshëm për transferimin e tyre”.
“Vetëm kryesia e klubit (së bashku me lojtarët) mund të vendosë për të ardhmen e secilit lojtar, që përfshin edhe mundësinë e transferimit të tyre në ndonjë klub tjetër”, thuhet në njoftimin e Gjilanit.