Telegrafi

Gjilani e Prizreni mirëpresin Barcamp’in

Ambienti i ngrohtë dhe i rehatshëm në Gjilan mezi akomodoi mbi 80 pjesëmarrës, të cilët me vëmendje po dëgjojnin prezantimin e Trim Kadriut, mbi laboratorin virtual të fizikës, të cilën punë e ka shpërblyer edhe European Project Association (EPA). Dy prej 30 eksperimenteve të mundshme të punuara në Flash, u demonstruan aty për aty, duke treguar potencialin që ka platforma dhe mundësitë e zhvillimit në të ardhmen. Faik Ispahiu, që kishte një mision të veçantë në mesin e folësve, si në Gjilan edhe në Prizren, tregoi mbi punën që është bërë dhe po bëhet me kallxo.com, si platformë me potencial të madh për të raportuar prej korrupsionit e deri tek problemet e thjeshta kudo në Kosovë, duke qenë kështu në shërbim të qytetarit dhe të vet komunës për të adresuar më shpejt problemet. “Ka ardhë koha, që kryetarët e komunave të bëjnë më shumë për qytetarinm dhe qytetari të bësoj më shumë tek ata që vet përzgjedh, e gjithsesi një element të rëndësishëm në këtë mes ka edhe kallxo.com” u shpreh Ispahiu.

Audienca e Prizrenit e grumbulluar në Qendrën Rinore, në mungesë të energjisë elektrike dhe të ngrohjes, ishte mjaft e kënaqur me prezantimin e Faikut dhe pati disa pyetje mbi prezencën mobile të portalit, por edhe mbi mënyrën sesi verifikohet informacioni e ruhet burimi nga mediumet si Drejtësia në Kosovë, Jeta në Kosovë e GazetaJNK.com.

Hajrullah Çeku, nën ndriçimin e qiriut, foli mbi modulet e reja të raportimit që po krijohen për peticionet elektronike dhe raportim të shqetësimeve si rezultat i punës së organizatës ECMA, kurse në diskutim mbi audiencën tregoi edhe mbi Rrjetin e Organizatave të Kulturës në Prizren (RrOK), dhe rolin e saj në mbështetje të zhvillimit të kulturës në Prizren, duke lëvizur konkretisht drejt njohjes së vërtetë të “Prizrenit si qytet i kulturës”. Hajrullahu tregoi se ka mbi 50 aktivitete kulturore në vit, për të cilat komuna me buxhetin që ka, i bie të qarros qytetarët e Prizrenit me nga dy makiato në vit. Në fund Besfort Guri, përmbylli listen e folësve në Prizren, me prezantimin e doracakut mbi “OpenStreet Map krijoni hartën tuaj”, projekt të cilin e ka mbështetur financiarisht Unicef Innovations Lab, e të cilin mund ta shkarkoni pa pagesë edhe online./Digjitale/