Instituti GAP ka publikuar indeksin e transparencës buxhetore komunale 2023, derisa ka vlerësuar komunat me përqindje në bazë të transparencës.
Komuna e Gjilanit dhe e Vitisë qëndrojnë afër njëra tjetrës sa i përket transparencës, mirëpo janë të radhitura pothuajse në fund të listës.
Gjilani është vlerësuar 58.5, ndërsa ajo e Vitisë ka 45 pikë nga 100 pikë gjithsej. Mirëpo, vlen të theksohet se në listën për transparencë buxhetore, Komuna e Kamenicës nuk është futur fare në listë.
Ndërsa, dy nga komunat e rajonit të Gjilanit, Kllokoti dhe Ranillugu janë të radhitura krejtësisht në fund të listës me 12.5 pikë.
Ndryshe nga vitet e kaluara, sipas Institutit GAP në vitin 2023, transparenca buxhetore e komunave është shoqëruar me ndryshim negativ, pasi mesatarja e pikëve në vitin 2022 ka qenë 62.8, ndërsa në vitin 2023 kjo mesatare ka rënë në 57.5.
“Rënia e mesatares së pikëve në Indeksin e transparencës buxhetore për vitin 2023 është ndikuar në veçanti nga problemet teknike për qasje në ueb-faqet e disa komunave”, thuhet në raportin e tyre. /Telegrafi/