Site icon Telegrafi

Gjiganti anglez po mendon emërimin e Xavit si trajner për sezonin e ardhshëm

Xavi Hernandez po shijon momentalisht jetën larg futbollit pas shkarkimit nga Barcelona verën e kaluar, por së shpejti ai do të rikthehet në stol, ani pse mbetet e panjohur se tek cili ekip. 

Gjatë muajve të fundit, ka pasur thashetheme të shumta për të ardhmen e Xavit, ku një sërë klubesh e kishin konsideruar atë si kandidat për stolin e tyre. 

Njëra nga këto klube raportohet të ketë qenë Manchester United, të cilët 45-vjeçari është i gatshëm t’i menaxhojë në rast se trajneri aktual Ruben Amorim largohet apo shkarkohet. 

Dhe kështu Liga Premier me shumë mundësi mund të jetë destinacioni i ardhshëm i Xavit, teksa mediumi spanjoll Relevo ka raportuar se një klub i panjohur nga elita e futbollit anglez po e konsideron t’i bëjë atij një ofertë.

Në këtë fazë, ka pasur negociata mes përfaqësuesve të Xavit dhe këtij klubi emri i të cilit nuk është bërë zyrtarisht i ditur, dhe më shumë lajme pritet të ketë sapo të përfundojë sezoni aktual. 

Xavi e ka dëshmuar veten si një trajner i mirë gjatë kohës sa ishte në krye të Barcelonës, pavarësisht një fundi zhgënjyes sezonin e kaluar. 

Ai fitoi La Ligan në edicionin 2022/2023, teksa i udhëhoqi blaugranasit drejt triumfit në Superkupën e Spanjës në vitin 2023, duke mposhtur Real Madridin në finale me rezultat 3-1. 

Tekniku spanjoll gjithashtu ka shkëlqyer edhe në Katar tek Al-Sadd, klub në të cilin ishte i punësuar para se të merrte ‘frenat’ e Barcelonës në nëntor të vitit 2021./Telegrafi/

Exit mobile version