Telegrafi

Gjigantët e teknologjisë “letër proteste” qeverisë amerikane

Në një letër të hapur drejtuar presidentit amerikan Barak Obama dhe Kongresit, kompanitë thanë se zbulimet e fundit tregojnë se bilanci i kësaj mbikqyrje online është shumë më shumë në favor të shtetit, dhe shumë më pak në favor të individit.

Pas rrjedhjes së dokumenteve të ndjeshme nga ish agjenti i shtetit amerikan, Edward Snowden, shumë nga kompanitë e mëdha të internetit paralajmëruan se bizneset amerikane mund të humbasin të ardhurat e tyre jashtë vendit, pasi që konsumatorët po bëhen mosbesues ndaj shërbimeve të tyre dhe mund të kalojnë në përdorimin e alternativave lokale.

"Ne e kuptojmë se qeveritë e kanë për detyrë t’i mbrojnë qytetarët e tyre," thoshte letra e nënshkruar nga tetë firmat e mëdha amerikane, ku hynë edhe Microsoft, Twitter, LinkedIn, Yahoo dhe AOL "Por rrjedhjet e fundit theksuan nevojën urgjente për t’i reformuar praktikat e mbikqyrjes qeveritare në mbarë botën”.

Kompanitë e kanë detajuar fushatën e tyre për ‘reformimin e mbikqyrjes nga pushteti’, duke bërë thirrje qeverisë amerikane për të kufizuar sasinë e informatave që shteti dhe qeveria mund t’i marrë nga një përdorues. / Telegrafi /