Nënkryetari i Federatës Gjermane të Futbollit, Rainer Milkoreit, ka pritur se Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) do të kalojë nëpër një proces të vështirë drejt pranimit në Konfederatën Evropiane të futbollit UEFA.
Ai të enjten në një intervistë dhënë gazetës Koha Ditore ka thënë se Gjermania e ka kuptuar se Kosova nuk ka vetëm miq, por edhe shumë armiq.
Milkoreit të enjten ka qenë mysafir special i Bordit të FFK-së, ndërsa u prit edhe nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala. I dyti i shtëpisë gjermane të futbollit ka theksuar se procesi i votimit të fshehtë për pranim në Kongresin e UEFA-s ka qenë i rrezikshëm për Kosovën. Ai është i befasuar që shumë shtete nuk kanë votuar ashtu siç janë deklaruar. Milkoreit ka theksuar se në një të ardhme jo të largët Gjermania mund të luajë ndeshje miqësore kundër Kosovës.
KD: A keni pritur se votimi në UEFA do të kalojë me vështirësi për Kosovën?
Rainer Milkoreit: E kam pritur se do të jetë një proces shumë i vështirë, sepse gjatë pesë vjetëve që kam qenë në këtë operacion i involvuar për ta ndihmuar Federatën e Futbollit të Kosovës, e kam kuptuar që nuk ka vetëm miq, por edhe shumë armiq.
KD: Si i vlerësoni reagimet e disa shteteve mike të Kosovës që dolën kundër saj?
Milkoreit: Të them të drejtën, ka qenë dëshpërues reagimi i disa shteteve për çka nuk dimë saktë arsyet, mirëpo Federata e Futbollit e Kosovës duhet ta lërë prapa gjithë këtë energji negative dhe të koncentrohet në punët që e presin, vendimet dhe në integrimin sa më të shpejtë si anëtare e UEFA-s.
KD: Votimi në mënyrë të fshehtë ishte në favor apo disfavor të Kosovës?
Milkoreit: Votimi i fshehtë në këtë proces u ka dhënë mundësi shumë federatave që janë sjellë ndryshe në realitet të veprojnë ndryshe me votë. Pra votimi i fshehur u ka dhënë mundësi që të kalkulojnë në këtë drejtim.
KD: Cila është ndihma e Gjermanisë për futbollin e Kosovës?
Milkoreit: Ne e kemi ndihmuar në shumë drejtime Kosovën tash e pesë vjet si në edukim, trajnim, lobim dhe shumë gjëra të tjera. Tash ka ardhur koha që të nënshkruajmë një memorandum bashkëpunimi që të hapim shumë sfera të tjera që nuk kemi punuar deri tash. Kemi qenë deri në momentin e fundit me Kosovën dhe do të vazhdojmë të jemi pranë saj. E kemi ndihmuar dhe do të vazhdojmë edhe në të ardhmen, për shkak se Kosovën e vlerësojmë një nga shtetet mike.
KD: A mund të ndodhë që Kosova të luajë miqësore me Gjermaninë?
Milkoreit: Do të tentojmë që me të gjitha grupmoshat, duke nisur nga ajo e femrave dhe grupmoshave të tjera të luajmë ndeshje miqësore. Duhet ta kuptojmë se me përfaqësuesen ‘A’ është pak më e vështirë, për shkak se dihet që bëhen plane afatgjate, por sigurisht se do të punojmë në këtë drejtim që sa më shpejt të jetë e mundur edhe një ndeshje e tillë miqësore me Kosovën.