Site icon Telegrafi

Gjermania dhe Argjentina dhurojnë spektakël – shënohen katër gola, por ndeshja mbyllet në barazim

Tifozët në “Signal Iduna Park” shijuan një ndeshje të madhe miqësore mes Gjermanisë dhe Argjentinës, që prodhoi plot katër gola, por asnjë fitues, pasi u mbyll 2-2.

Pjesa e parë u dominua tërësisht nga pancerat, që shënuan fillimisht në minutën e 16’ me anë të sulmuesit Serge Gnabry.

Vetëm 6 minuta më vonë, ky i fundit shërbeu për Havertz, që shënoi edhe golin e dytë (2-0).

Nga ana tjetër, dyshja Lautaro Martinez dhe Paulo Dybala, që shkëlqyen në derbin e Italisë të dielën në mbrëmje, nuk arritën të thyejnë mbrojtjen gjermane dhe portierin Andre Ter Stegen, që ishte nga minuta e parë në portë.

Megjithatë reagimi i amerikano-jugorëve erdhi në pjesën e dytë.

Lionel Scaloni aktivizoi disa futbollistë, ndërsa njëri prej tyre, Lucas Alario gjeti golin e parë për argjentinasit, në minutën e 66’.

Pesë minuta nga fundi, ishte sërish Alario që këtë herë asistoi për sulmuesin e Sevillas, Lucas Ocampo, me këtë të fundit që mposhti Ter Stegenin dhe vulosi e rezultatin përfundimtar 2-2.

Takimi i radhës për Gjermaninë do të jetë për eliminatoret e Euro 2020 përballë Estonisë si mysafir, ndërsa Argjentina do të luajë një takim miqësor ndaj Ekuadorit në Alicante të Spanjës. /Telegrafi/

https://www.youtube.com/watch?v=S5wa-GTeZDk

Exit mobile version