Telegrafi

Gjeniu i transferimeve “tradhton” Bayern Munichun

E habitshme! Bayern do të humbasë strategun e vet të blerjeve, Michael Reschke.

Siç zbulojnë mediet gjermane, me në krye prestigjiozen “Bild”, drejtori teknik i bavarezëve ka marrë një ofertë nga Stuttgart dhe ka pranuar. Çuditërisht, Uli Hoeness dhe Karl-Heinz Rummenigge nuk kanë bërë aspak qëndresë.

Reschke ka bindur edhe shefin e zbuluesve të talenteve te Bayern, Timon Pauls, për ta marrë me vete. Dyshja do të nisë punë zyrtarisht në klubin e ri më 1 tetor. Sot pritet zyrtarizimi i tyre në Stuttgart.

I marrë nga Bayer Leverkusen, Reschke ka qenë një armë sekrete e kampionëve të Gjermanisë. Ai ka bërë të mundur transferimin e lojtarëve si Arturo Vidal, Medhi Benatia, Kingsley Coman, Mats Hummels, Douglas Costa dhe Renato Sanches. Disa prej tyre, në fakt, nuk i kanë përmbushur pritshmëritë, por arsyeja kryesore pse mund të ketë ardhur ky divorc është Ousmane Dembele. Reschke vjet negocioi për disa muaj me agjentin e gabuar të mesfushorit, i cili ishte ndarë me lojtarin. Pra, Bayern vetëm humbi kohë dhe Borussia Dortmund fitoi garën. Sot mesfushori vlen 100 milionë euro.

Pep Guardiola është përpjekur ta marrë Reschke-n te Manchester City, por Bayern nuk ka pranuar. Kjo, ndoshta sepse para dy vitesh ai konsiderohej magjistar i merkatos. “Njeriu i cili ka ndryshuar më shumë nga të gjithë pikëpamjen time për futbollin është Pep”, – ka thënë Reschke. Epo, tashmë të dy janë ish-bavarezë!

“Sport1” hamendëson se largimi i 59-vjeçarit ka lidhje me drejtorin e ri sportiv të Bayern-it, Hasan Salihamidzic. Ai nuk është më i dëshirueshëm në Mynih. Prapaskena të tjera me siguri do të ketë, por këtë javë pritet të zbulohen informacione edhe më të detajuara. /telesport/