Gjenerali i pensionuar serb, Zdravko Ponosh do të jetë kundërkandidati i Aleksandar Vuçiqit për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 3 prill.
Kështu së paku kanë vendosur një numër i madh i partive politike opozitare teksa kanë arritur një marrëveshje duke përfshirë edhe Vuk Jeremiqin, Dragan Gjilasin dhe Zoran Lutovacin.
Ponosh pohoi se ka kohë që nuk i është drejtuar mediave, ndonëse emri iu ka lakuar në disa raste dhe se ka pritur vendimin e partive, raporton N1.
“Prita që këta njerëz të mbaronin punën, të shkonin në betejë së bashku dhe ia vlente pritja. Dua të falënderoj partitë që gjetën gjuhën e përbashkët. Kushti im ishte – uniteti, tani e kemi”, tha Ponosh.
Ai në një konferencë të përbashkët për shtyp me nënkryetaren e Partisë për Liri dhe Drejtësi (SAA), Marinik Tepiq dhe kandidatin për kryetar të Beogradit, Vladet Jankoviq tha se falënderoi edhe njerëzit e shquar, duke thënë se përkrahja e njerëzve që ishin kampionë në punë, nënkuptonte mbështetje.
“Jam i nderuar që këtë punë ta bëj me njeriun më të guximshëm të politikës serbe, Marinik Tepiçin, Vladet Jankoviqin, i cili ende na mëson se çfarë do të thotë të punosh për interesin shtetëror”, shtoi ai.
Ai tha gjithashtu se me kënaqësi do të pranonte të bisedonte me partitë dhe lëvizjet e tjera të “opozitës reale”.
Do të ishte kënaqësi të bisedoja me Aleksandar Vuçiqin para publikut dhe të tregoja se është e mundur të flitet duke përdorur një ton të arsyeshëm dhe fjalor normal, tha Ponosh, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
Që nga 5 tetori i vitit 2000, Vuçiq është i vetmi që ka arritur të fitojë në raundin e parë me pjesëmarrje prej 53,34 për qind me 55,06 për qind të votave. Në vend të dytë në atë kohë ishte “ndryshimi i pranverës”, lideri i Lëvizjes Qytetare të Lirë (PSG), Sasha Jankoviq me 16,35 për qind dhe në vendin e tretë ishte faktori përçarës i votuesve të opozitës, Beli Preletaçeviq me 9,42 për qind.
Kandidimi i Ponosh zgjoi shpresën në një pjesë të elektoratit se të paktën më 3 prill e gjithë kjo nuk do të përfundojë me poshtërimin e kandidatit të opozitës në raundin e parë. /Telegrafi/