Është gjetur trupi i pajetë një rabini izraelito-moldav, i cili u zhduk në Abu Dhabi, ka njoftuar Izraeli.
Zvi Kogan, përfaqësuesi i Chabad në Emiratet e Bashkuara Arabe, u zhduk të enjten.
Një deklaratë nga zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se Kogan u vra, duke e quajtur atë një “incident të tmerrshëm terrorist antisemitik”.
“Shteti i Izraelit do të veprojë me të gjitha mjetet për të kërkuar drejtësi nga kriminelët përgjegjës për vdekjen e tij”, tha zyra.
Të shtunën, agjencia izraelite e inteligjencës Mossad tha se po hetonte zhdukjen, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.
Ndërkohë, qeveria e Emirateve nuk dha asnjë informatë se Kogan ishte gjetur i vdekur.
Ministria e saj e brendshme e ka përshkruar rabinin si “të zhdukur dhe pa kontakt”.
Bëhet e ditur se rabini jetonte në Emiratet e Bashkuara Arabe me gruan e tij Rivky, e cila është një shtetase amerikane.
Lëvizja Chabad Lubavitch, një degë e judaizmit ortodoks, tha se Kogan ishte parë për herë të fundit në Dubai.
Ndryshe, zhdukja e tij vjen pasi Irani ka kërcënuar se do të hakmerret kundër Izraelit pasi të dy vendet shkëmbyen zjarr në tetor.
Ndërsa deklarata izraelite nuk përmendi Iranin, shërbimet e inteligjencës iraniane kanë kryer rrëmbime të mëparshme në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku zyrtarët perëndimorë besojnë se Irani drejton operacione të inteligjencës. /Telegrafi/