Trupat e djegur të 19 personave janë gjetur afër kufirit meksikan me Shtetet e Bashkuara, sipas zyrtarëve nga shteti Tamaulipas.
Sipas BBC, përcjell Telegrafi, policia gjeti dy automjete të djegura të shtunën, dhe gjetjet fillestare tregojnë se njerëzit në fillim u qëlluan pastaj u dogjën.
Bëhet e ditur se në atë zonë operojnë bandat e dhunshme të drogës, ku migrantët gjithashtu përpiqen të kalojnë në Amerikën e Veriut.
Ndërkohë, një zyrtar tha se viktimat mund të jenë migrantë pa dokumente.
Shteti veri-lindor i Tamaulipas është i njohur për vrasje të dhunshme dhe zhdukje, shpesh të lidhura me kartelet e fuqishme të drogës të cilët luftojnë për territorin.
Në incidentin e fundit, trupat u gjetën afër qytetit Camargo i cili kufizohet me shtetin amerikan të Teksasit.
Autopsitë janë duke u zhvilluar, por zyra e prokurorit të shtetit Tamaulipas tha se gjendja e dobët e mbetjeve po ndërlikonte procedurat.
Gjithashtu një hetim ka filluar për të përcaktuar nëse personat e vrarë ishin migrantë që udhëtuan nga Guatemala në përpjekje për të arritur në SHBA. /Telegrafi/