Site icon Telegrafi

Gjenden gjashtë trupa të pajetë në një hotel luksoz në Tajlandë, u helmuan me cianid

Gjurmët e cianidit janë gjetur në gota dhe një çajnik në dhomën e një hoteli luksoz në Bangkok, ku u zbuluan trupat e gjashtë personave në një helmim të qëllimshëm të dyshuar.

Policia në Tajlandë tha se helmimi nga cianidi – një kimikat vdekjeprurës me veprim të shpejtë – ka të ngjarë të jetë shkaku i vdekjes së tre burrave dhe tre grave, transmeton Telegrafi.

Katër shtetasit vietnamezë dhe dy vietnamezë-amerikanë u gjetën nga një shërbëtore në dhomën e cila ishte e mbyllur nga brenda.

Ushqimi i porositur nga shërbimi në dhomë u gjet i paprekur brenda dhomës – por pijet ishin konsumuar.

Katër prej trupave ishin në dhomën e ndenjes dhe dy në dhomën e gjumit. Të dhënat e hotelit treguan se nuk kishte vizitorë të tjerë në dhomë.

Gjeneral-lejtnant i policisë Trairong Phiwpan, kreu i divizionit mjeko-ligjor të forcës policore tajlandeze, tha në një konferencë shtypi të mërkurën se një nga gjashtë është ai që kreu vrasjet në hotelin Grand Hyatt Erawan.

“Pasi personeli solli filxhanë çaji dhe dy shishe me ujë të nxehtë, qumësht dhe çajnik… një nga gjashtë futi cianid”, tha ai.

Intervistat me të afërmit e të vdekurve zbuluan se kishte pasur një mosmarrëveshje mbi borxhin, tha policia.

Oficerët thanë se hetimi – i ndihmuar nga FBI – zbuloi gjithashtu një motiv të mundshëm që mund të ishte një konflikt midis gjashtë viktimave në lidhje me investimet shumë milionëshe.

Të gjashtët u panë për herë të fundit të gjallë kur ushqimi u dorëzua në dhomë të hënën pasdite. Rezultatet fillestare të autopsisë priten të enjten. /Telegrafi/

 

Exit mobile version