Kur u takua me Sergei Lavrov në Beograd javën e kaluar, anëtari serb i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Milorad Dodik, i kërkoi ministrit të jashtëm rus ndihmë ushtarake.
Kështu së paku shkruajnë mediat boshnjake, sipas të cilave agjencitë e sigurisë në BeH kanë informacion se Dodik i kërkoi Lavrovit ndihmë me armë në rast të një konflikti të armatosur në Bosnjë dhe Hercegovinë në të ardhmen e afërt.
Se Dodik foli për “ndihmën ushtarake” të Rusisë gjatë takimit në Beograd, konfirmohet edhe nga fjalët e tij të thëna në emisionin Telering, i cili transmetohet në shërbimin publik të Republika Srpska (RTRS), shkruajnë më tej mediat boshnjake.
“Nëse është e nevojshme, ne do ta mbrojmë atë (Republika Srpska) dhe forcat tona. Dhe askush të mos mashtrohet se nuk është kështu. Nëse NATO ndërhyn, ne do të kërkojmë ndihmë nga miqtë tanë të cilët na thanë, qartë dhe me zë të lartë, se ata kurrë nuk i lënë miqtë e tyre në baltë”, ka thënë Dodik. /Telegrafi/