Sot janë bërë gjashtë vite pa legjendën e futbollit kosovarë, Fadil Vokrri. Ish-sulmuesi i famshëm kishte ndërruar jetë pas një ataku kardiak më 9 qershor të vitit 2018.
Vokrri në atë kohë ishte kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës, derisa ishte njeriu më meritor për pranimin e FFK-së me të drejta të plota në UEFA dhe FIFA.
Kryetari aktual i FFK-së, Agim Ademi nëpërmjet një postimi ka kujtuar jetën dhe veprën e Vokrrit në gjashtë vjetorin e vdekjes së tij.
Ademi ishte krahu i djathtë i Vokrrit për shumë vite, duke mbajtur pozitën e nënkryetarit në FFK.
Postimi i plotë nga Agim Ademi:
Sot, bëhen gjashtë vjet pa Legjendën e futbollit tonë, Fadil VOKRRI! 9 qershori i vitit 2018 mbetet datë që sjellë ndjesi nostalgjie, por edhe krenarie për trashëgiminë e pasur që Vokrri la te të gjithë ata që e adhuruan, por edhe patën fatin ta njohin nga afër dhe të punojnë me të.
Fadil Vokrri ishte një futbollist i jashtëzakonshëm dhe i përmasave botërore. Talentin që ia dhuroi Perëndia, ai e shndërroi në pasion dhe dashuri të pakufishme për lojën magjike të futbollit.
Me aftësitë e tij të shkëlqyeshme me topin, intuitën për gol dhe stilin unik, Vokrri u shqua që në rininë e tij të hershme. Me paraqitjet në fanellën e Prishtinës, ai bëri që një popull i tërë ta thërriste emrin e tij dhe tek ai të shihte shpresën e gëzimin.
Karriera e tij e ndritur, brenda dhe jashtë vendit, e bëri atë një nga figurat më të dashura dhe të respektuara në historinë e sportit tonë.
Përtej talentit në fushë, Fadili ishte njeri me zemër të madhe dhe mendjeprehtë, teksa disa vjet pas çlirimit të vendit vendosi që të kthehej në vendlindje dhe të kontribuonte në udhëheqjen e klubit të tij të zemrës, e më pas edhe të Federatës.
Ardhja e tij ishte shpresë, teksa misioni i përbashkët ishte anëtarësimi në UEFA e FIFA. Ndonëse ky rrugëtim nuk ishte i lehtë, autoriteti dhe këmbëngulësia e tij, por edhe i të gjithë atyre që ishim pjesë e Federatës, si dhe mbështetja e institucioneve vendore dhe faktorëve ndërkombëtarë, bëri që ky mision të përmbyllej suksesshëm në maj të vitit 2016.
Fadil Vokrri ishte simbol uniteti për futbollin, derisa trashëgimia që la pas është një thesar i paçmuar.
Teksa nderojmë Legjendën tonë, ne i jemi mirënjohës për gjithçka që bëri për futbollin në Kosovë.
Të frymëzuar nga trashëgimia e tij do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim për një të ardhme të ndritur për brezat e rinj, me besim të plotë se vendi ynë do të japë edhe shumë talente si ai.
I përjetshëm kujtimi për TY, Legjendë! Me respekt,Agim Ademi, presidenti i FFK-së. /Telegrafi/