Telegrafi

Gjashtë rregulla të thjeshta për jetë të lumtur

Çdo ditë kaloni disa minuta në qetësi
Qëndrimi në qetësi për disa minuta çdo ditë duke mos menduar, është përbërësi i fshehtë i jetës së lumtur dhe të suksesshme. Shndërrojeni këtë gjë në veprim të përditshëm. Çdo ditë ndani së paku dhjetë minuta për veten tuaj. Uluni në një vend të qetë, mos mendoni për të kaluarën e as për të ardhmen. Përqendrohuni vetëm në frymëmarrjen tuaj. Kjo nuk është as joga e as meditim, janë vetëm disa minuta të qeta për veten tuaj. Nëse e bëni këtë akt çdo ditë, do të vëreni se shumë shpejt do t’u përmirësohet kualiteti jetësor.

Ushtroni mendjen dhe trupin
Ushtrimet përditshme iu mbajnë fizikisht dhe mendërisht të zgjuar. Ushtrimet fizike e mbajnë trupin tuaj fleksibil, të fortë dhe të shëndoshë. Po ashtu ushtrimet ndikojnë edhe në mendje. Madje vetëm ecja në ajër të pastër do t’u bëjë të ndjeheni mirë.

Mos hani shumë
Kjo është sfida më e madhe për shumicën e njerëzve. Një fjali thotë: ‘Ti je ajo që ha’, dhe është pikërisht kështu sepse ushqimi tregon shumëçka për veten tuaj. Atë që hani, kur e hani dhe si hani, janë faktorë të rëndësishëm, të cilët janë të lidhur me jetën shpirtërore, fizike dhe psikike. Është shumë me rëndësi që ushqimi i shëndetshëm dhe i balancuar të jetë stili i juaj jetësor. Jo vetëm që nuk do të keni probleme me kilogramët e tepërt, por do të ndjeheni shumë më mirë edhe fizikisht edhe psikikisht.

Zgjidhni punën e cila iu fle në shpirt
Për jetë kualitative është shumë me rëndësi që të bëni punën të cilën e dëshironi. Nëse nuk jeni të kënaqur me vendin e punë suaj dhe nëse puna juaj nuk iu fle në shpirt, atëherë duhet të kërkoni një tjetër punë dhe tjetër ambient punues, i cili do t’u motivojë. Që të jeni produktiv dhe të përmbushur emocionalisht duhet ta dëshironi punën tuaj.

Mbani miqësitë
Jeta është shumë më e bukur kur jetohet pranë personave të dashur, me familje dhe miqësi. Mësohuni t’i vlerësoni miqtë tuaj. Respektoni njerëzit rreth jush dhe zhvilloni aftësitë komunikuese me qëllim që të ndërtoni dhe të mbani miqësi kualitative. Miqtë i japin domethënie të veçantë jetës suaj.

Flini mjaftueshëm
Me gjumë ripërtërini energjinë. Kushtoni kujdes që të flini së paku tetë orë në ditë. Gjumi i thellë, relaksues dhe i qetë është i dobishëm edhe për mendjen edhe për trupin. Nëse keni shprehi të pashëndetshme të gjumit atëherë do të shqetësoheni shpesh, do të ndiheni të lodhur dhe të pakënaqur. Çdo ditë flini në orë të njëjtë, sepse gjumi i rregullt do t’i japë dimension tjetër jetës suaj./Telegrafi