Site icon Telegrafi

Gjakova nis buxhetimin me pjesëmarrje, dedikon 150 mijë euro për projekte nga idetë e qytetarëve

DCF 1.0

Komuna e Gjakovës ka bërë të ditur se për herë të parë do të fillojë së aplikuari buxhetimin me pjesëmarrje.

Buxhetimi me pjesëmarrje nënkupton ndarjen e një shume të caktuar nga buxheti komunal e cila do të përdoret për realizimin e projekteve që vijnë direkt nga idetë apo kërkesat e qytetarëve.

Në këtë vit, komuna e Gjakovës ka planifikuar të ndajë 150 mijë euro, e të cilat do të dedikohen për realizimin e minimum 3 projekteve që vijnë nga propozimet e qytetarëve.

Kriteret për propozimin e ideve apo projekteve janë që shuma e projektit të arrijë deri në 50 mijë euro, që numri i përfitueve të projektit të jetë sa më i madh, që projekti të jetë në përgjegjesi dhe në pronë të komunës, që projekti të ndikojë në përmirësimin e jetës së banorëve, dhe që projekti të mos jetë pjesë e planifikimeve aktuale buxhetore të komunës.

Banorët e Komunës së Gjakovës do të kenë mundësi të bëjnë propozimet për ide – projektet konkrete që do të mund të financohen nga komuna në takimet që do të mbahen me datë 18 qershor 2024, në shkollën “Haxhi Hoti” në Rogovë me fillim nga ora 16:00, në shkollën “Fehmi Agani” në Gjakovë me fillim nga ora 18:00, dhe në shkollën “Luigj Gurakuqi” në Korenicë me fillim nga ora 19:30. /Telegrafi/

Exit mobile version