Mbrëmë në qytetin e Gjakovës, është bërë hapja e Festivalit të Gastronomisë, festival ky i cili mbahet për herë të parë në qytetin e Gjakovës.
Në një intervistë për Telegrafin, Astrit Panxha, organizator i “Gjakova Gastronomy Festival”, foli rreth organizimit të këtij festivali në Gjakovë.
“Këtë vit për herë të parë jemi duke e organizu këtë festival edhe në Gjakovë, duke dalur pak nga Prishtina, jo pse nuk do ta organizojmë këtë festival në Prishtinë, sepse në Prishtinë do ta organizojmë sërish nga data 29 korrik, por e zgjodhëm një qytet jashtë Prishtinës ta provojmë dhe vendosëm që të vijmë në Gjakovë, kështu që Gjakova është një qytet ku ka mikpritje të mirë, ku njerëzit janë ‘sevdalinjë’ dhe është vetëm fillimi i festivalit dhe të shikojmë së si festivali do të shkojë në vazhdim”, u shpreh fillimisht Panxha, shkruan Telegrafi.
Panxha tha që presin që ky festival të ketë sa më shumë vizitorë.
“Ne presim sa më shumë vizitorë sepse ka ardhur edhe diaspora, ka njerëz që që kanë pasur interesim të madh paraprakisht, besoj që do të ketë njerëz sepse kemi bërë shpërndarjen e shume biletave për mysafirët tanë, kështu që besoj që do të jetë një organizim i mirë”, tha Panxha.
Panxha gjithashtu përmendi edhe arsyet se pse e kanë zgjedhur pikërisht Gjakovën për organizimin e këtij festivali.
“Gjakovën e kemi zgjedhur për shumë arsye, e para siç e thashë njerëzit janë shumë ‘sevdalinjë’, e dyta është një qytet që gjindet mes Pejës dhe Prizrenit ku ka shumë aktivitete, dhe Gjakova ka mbetur si në mes edhe vendosëm ta provojmë organizimin e këtij festivali në Gjakovë, dhe e treta kryetari Ardian Gjini ishte shumë mikpritës dhe tha ‘ejani, e keni perkrahjen time me të gjitha gjërat që ju duhen për organizim sepse është një promovim i mirë për Gjakovën’, dhe kështu që erdhëm në Gjakovë.”
I pyetur për veçantinë e këtij edicioni të këtij festivali Panxha ceku programin që e karakterizon festivalin.
“Ne si gjithmonë shkojmë me dy lloje të programeve për këtë festival, programin e muzikës dhe programin kulinar, ku në netët në vazhdim do të kemi grupin “Rilindja” disa djem simpatikë, e kemi edhe grupin “Fisnikët”, pastaj natën e tretë të festivalit e kemi edhe grupin “Na”, ndërsa natën e katërt e kemi këngëtarin Edi Furra, ku njëkohësisht e kemi edhe natën tradicionale me muzikë dhe ushqim tradicional.”, tha ndër të tjera Panxha.
Theksojmë që ky festival ka nisur nga data 18 korrik 2024, dhe do të vazhdojë deri me datë 21 korrik 2024. /Telegrafi/