Telegrafi

Gjakova mirëpret hapjen e festivalit “Ditët e Shqiptarit”, muzikë, filma e aktivitete tjera kulturore

Në praninë e shumë qytetarëve që ishin mbledhur në Parkun Kulturor “Ali Podrimja” mbrëmë në Gjakovë është bërë hapja e edicionit të parë të festivalit “Ditët e Shqiptarit”, festival ky shumë dimensional që do të shfaq filma, muzikë e aktivitete të tjera kulturore.

Ermal Hasimja, një ndër organizatorët e këtij festivali, tha që ky festival është në mesin e disa aktiviteteve që Fondacioni Për Gjakovën synojë të realizojë në të ardhmen.

“Festivali është pjesë e disa aktiviteteve që Fondacioni për Gjakovën synon të realizojë në të ardhmen, pasi që vet Fondacioni është rezultat i mbledhjes së një grupi miqsh, ku që të gjithë janë gjakovarë, përfshirë edhe mua, pavarësisht që jam gjakovar nga Tirana, dhe kemi dashur që të gjithë që me angazhimin tonë vullnetar për shkak të dashurisë dhe pasionit që kemi për qytetin tonë, vendlindjen tonë, ose origjinën e familjes, të mund të bëjmë maksimumin që Gjakova të nxjerri në pah ato vlerat më të mëdha, dhe këto vlera që ka të mund t’i bëjë të dukshme dhe të dobishme për zhvillimin ekonomik të qytetit, për gjallërimin kulturor, artistik por edhe turistik të qytetit.  

Një ndër synimet kryesore është që përmes këtyre aktiviteteve ne të tërheqim në Gjakovë sa ma tepër vizitorë dhe të bëjmë të mundur që nga këta vizitorë të përfitojë edhe Gjakova dhe turizmi në Gjakovë, dhe do të synojmë që në të ardhmen Gjakova të kthehet në një qendër të turizmit të përvojës autentike shqiptare, sepse mendojmë që ndoshta është edhe thjesht për shkak të egoizmit tonë lokalist, ose për shkak të dashurisë që kemi për Gjakovën, por mendojmë që Gjakova i ka të gjitha mundësitë që të kthehet në kryeqendrën e turizmit kulturor shqiptar”, tha Hasimja, shkruan Telegrafi.

Ndërsa Hasimja po ashtu tha që nuk ka qenë aspak e vështirë në gjetjen e vullnetarëve që do të ndihmojnë në realizimin e festivalit “Ditët e Shqiptarit”.

“Në fakt nuk ka qenë shumë e vështirë në të gjitha aspektet, sepse kemi ndeshur në një gatishmëri jashtëzakonisht të madhe nga të gjithë edhe në rastin e vullnetarëve të rinj që janë edhe pjesë e festivalit.

Në fakt përveç këtyre vullnetarëve pastaj kemi pasur mbështetje edhe nga grupi i organizatorëve, kemi pasur një bashkëpunim të jashtëzakonshëm, gatishmëri shumë të madhe, por edhe nga ata që e kanë financuar.

Madje është një rast interesant dhe besoj unik për tu treguar, që kemi pasur qytetarë të Gjakovës që pa asnjë lloj interesi, pa pasur biznese ose firmë kanë dhuruar shuma në mënyrë që të financohen këto aktivitete, dhe kjo është diçka që vetëm në Gjakovë mund të ndodhë, që thjeshtë qytetarët të marrin përsipër që të angazhohen në këtë lloj mënyre.

Unë vetë, praktikisht gjithë jetën time ose pjesën më të madhe e kam jetuar në Tiranë, por nuk më ka ndodhur ndonjëherë që të ndeshem me një lloj dashurie kaq të madhe për qytetin, aq sa kanë dashuri gjakovarët për Gjakovën”, shtoi Hasimja.

I pyetur se çfarë e dallon këtë festival nga festivalet e tjera, Hasimja potencoi që mënyra e organizimit të festivalit “Ditët e Shqiptarit” është shumë e veçantë.

Në radhë të parë veçantia e këtij festivali qëndron në vetë mënyrën e organizimit, në radhë të dytë qëndron fakti që ky është një festival shumë planësh, pra nuk është tjeshtë një festival filmi ose festival muzike, por i përfshinë shumë kategori të ndryshme, pasi që ka shumë shfaqje filmash, ka muzikë, ka elemente të gastronomisë, që organizohen në bashkëpunim me bizneset e Çarshisë, të cilët janë të treguar shumë të gatshëm për tu futur në frekuencën dhe atmosferën e festivalit, kështu që ka plot elemente të ndryshme që e bëjnë të veçantë këtë festival.

Në të ardhmen ne synojmë që përmes aktiviteteve të bëjmë të mundur që në Gjakovë të ketë vazhdimisht dhe gjatë gjithë vitit aktivitete të tilla, në mënyrë që Gjakova të shndërrohet në një kryeqendër të turizmit shqiptar,  që një shqiptar apo edhe një i huaj që dëshiron që të provojë dhe të prekë me dorë kulturën dhe vlerat më të larta të kulturës shqiptare, ta ketë Gjakovën direkt si zgjedhje të parë, ky është edhe synimi ynë”.

Ndërsa në hapje të festivalit, fjalën e mori edhe kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, tha që organizime të tilla do të gjenin mbështetje tek të gjithë udhëheqësit.

“Me të vërtetë secili prej nesh që jemi në politikë, dhe që jemi udhëheqës të diçkaje i kemi edhe ne idetë tona, dhe e dimë përafërsisht se çfarë duhet të bëjmë, por duhet ta dimë që jemi në demokraci, dhe unë demokracinë e dua shumë, dhe në demokraci përveç tjerave duhet ta kemi të qartë që jo gjithçka e bën politika, jo gjithçka e bënë shteti, e jo gjithçka e bëjnë institucionet.

Më e mira e më të mirës në demokraci është kur ndodh shumëçka e mirë jo çdoherë është i përfshirë autoriteti i pushtetit, dhe njerëzit me ide gjejnë rrugë për të bërë diçka në çfarëdo fushe të jetës, e sidomos në kulturë, në art, në promovim të turizmit i cili po bëhet edhe me anë të këtij festivali, dhe definitivisht pa asnjë dilemë nuk e besoj që unë jam ai i vetmi që ju kam mbështetur, sepse kushdo që do të kishte qenë në vendin tim do të ju kishte mbështetur.”, tha fillimisht Gjini.

Gjini po ashtu shtoi se ky organizim do të jetë një promovim i jashtëzakonshëm i Gjakovës.

“Unë po besoj që të gjithë do të kalojmë një kohë të mirë këto ditë, dhe që ky organizim ka me qenë një promovim i jashtëzakonshëm i Gjakovës, që do të ketë shumë njerëz nga shumë vende që do të vijnë në Gjakovë, ku do të kalojnë ditë të mira, por edhe do të kenë mundësi ta shohin Gjakovën, ku do të krijohen edhe lidhje të tjera kulturore, dhe pas një kohe së bashku mund të shohim se çfarë mund të bëjmë më mirë, sepse deri më tash ajo çfarë kam parë nga ky organizim është e jashtëzakonshme, diçka që nuk ka ndodhur më herët.

Unë bëj pjesë në grupin e atyre njerëzve që gjërat t’i bëjë çdo herë e më mirë, dhe besoj që në të ardhmen do të arrijmë që ta bëjmë edhe më mirë, sepse në fund të fundit këto janë Ditët e Shqiptarit, edhe pse ne kemi edhe qytetarë tanë që etnikisht mbase nuk janë shqiptarë, por ne i duam dhe i vlerësojmë të gjithë sepse janë pjesë e jona dhe jetojnë me ne.

Ditët e Shqiptarit janë sikurse ditët e çdo etnie tjetër dhe ne që jemi këtu mburremi që jemi shqiptarë, por kjo mburrje që jemi shqiptarë që nuk nënkupton që ne jemi kundër dikujt që e kemi bashkëqytetarë dhe që jeton me ne dhe një gjë e vështirë do të vazhdojë edhe më tutje., shtoi Gjini në fjalën e tij.

Pas fjalës së kryetarit Gjini, në skenë me poezinë Gjakova u ngjit Albina Varaku, për të vazhduar më pas me shfaqje të filmave, dhe mbrëmja e parë e festivalit “Ditët e Shqiptarit” u mbyll me koncertin e këngëtarit Shpat Deda. /Telegrafi/