Site icon Telegrafi

Gjakova miraton buxhetin komunal 40 milion e 584 mijë euro

40 milion e 584 mijë e 369 euro, është buxheti i komunës së Gjakovës, i cili është miratuar sot me 21 vota pro dhe 11 kundër, në mbledhjen e 8-të të Kuvendit të Komunës.

Sipas njoftimit të Komunës së Gjakovës, prej kësaj shume, vetëm për investime kapitale janë të planifikuara 14 milion e 742 mijë e 931 Euro, ndërsa për grante dhe subvencione 1 milion e 85 mijë Euro.

“Buxheti komunal, i prezantuar nga drejtori për Buxhet dhe Financa Durim Halilaj, është komentuar edhe nga kryetari i komunës Ardian Gjini, i cili ka thënë se ky buxhet është buxhet zhvillimor, i cili përpos se do t’i plotësojë kërkesat elementare të qytetarëve, do të sjellë edhe plot projekte tjera të cilat do të ndikojnë dukshëm në zhvillimin e përgjithshëm të komunës së Gjakovës”, thuhet në njoftim.

Nën kryesimin e kryesueses Arbënesha Kuqi, në këtë mbledhje të Kuvendit janë miratuar edhe disa pika tjera të rendit të ditës, mes tyre edhe rishqyrtimin i disa vendimeve për dhënien në shfrytëzim të pronave komunale si dhe është bërë caktimi i anëtarëve të Komisionit Përzgjedhës për institucionet arsimore në komunën e Gjakovës, pikë e cila është prezantuar nga drejtoresha e drejtorisë për Arsim Eranda Kumnova – Baçi.

Exit mobile version