Telegrafi

Giroud tregon se Henry i dërgon mesazhe urimi sa herë që shënon gola

(Foto: Twitter/B/R Football)

Olivier Giroud ka thënë se legjenda Thierry Henry i dërgon mesazhe sa herë që ai shënon gola për Francën apo Milanin.

Në ndeshjen ndaj Australisë, sulmuesi i Rossonerëve e barazoi rekordin me legjendën e Arsenalit për numrin e golave të shënuar me Les Bleus (nga 51).

Dhe kur ta shënojë golin e radhës me fanellën e përfaqësueses, do të bëhet golashënuesi më i mirë në histori të Francës.

(Foto: ESPN)

“Secilën herë që shënoj gol për klubin ose vendin, Thierry e ka shprehi të më dërgojë mesazh për të më uruar, është gjithmonë kënaqësi kur vjen nga ai”, ka thënë Giroud në një intervistë për Telefoot, transmetuar nga Footmercato.

36-vjeçari nuk e shfrytëzoi rastin për ta tejkaluar Henryn në fitoren e djeshme (e shtunë), 2-1, ndaj Danimarkës, por do të ketë edhe mundësi të tjera, kur kihet parasysh se Franca është kualifikuar në të tetën e finales. /Telegrafi/