Telegrafi

Giggs largohet nga United

Pas 29 vjet qëndrimi Ryan Giggs i ka dhënë fund karrierës së tij 29 vjeçare te Manchester Unitedi.

Uellsiani, siç raporton Daily Mail, ka refuzuar mundësinë që të marrë një rol trajneri nën menaxherin Jose Mourinho, duke besuar se Unitedi është tërhequr nga qëndrimi që t’i ofrojë atij postin e menaxherit pasi shërbeu nën urdhërat e David Moyes dhe Louis van Gaal.

Përfaqësuesit e Giggsit janë në bisedime me Unitedin që të paguajnë vitin e fundit në kontratën e tij. 42-vjeçari besohet se do të ketë një rol si analist në Euro 2016, por pas përfundimit të Kampionatit Europian ai dëshiron të marrë një rol si menaxher i ndonjë ekipi, transmeton Koha.net.

Giggs është rekordmen te Unitedi me më së shumti paraqitje. Gjatë karrierës së tij ai zhvilloi 963 ndeshje. Si 14-vjeçar ai iu bashkua Unitedit në vitin 1987. Gjatë këtyre 29 vjetëve ai fitoi dy herë Ligën e Kampionëve, 13 herë Premier Ligën dhe katër herë kupën FA.

Uellsiani ende nuk ka biseduar me Mourinhon, por nuk përjashtohet mundësia që ai të mbesë te Unitedi nën urdhrat e portugezit.