Legjenda e Manchester Unitedit, Ryan Giggs, është intervistuar për punën e trajnerit të Kombëtares së tij, Uellsit dhe mendohet se është afër t’i besohet kjo detyrë.
Giggs po kërkon të ndërmarrë hapat e tij të parë drejt menaxhimit të ndonjë skuadre apo ekipi kombëtar.
Ish-ylli i Djajve të Kuq mund ta fitojë këtë mundësi, pasi pritet të jetë njeriu kryesor për të zëvendësuar trajnerin Chris Coleman te Uellsi.
Sipas tabloidit anglez Daily Mail, Giggs është “intervistuar zyrtarisht” për punën e trajnerit në mëngjesin e ditës së premtes.
Megjithatë, ish-mesfushori i njohur nuk do të jetë i vetëm në këtë garë pasi do të rivalizohet po ashtu nga një ish-legjendë e Ligës Premier dhe Uellsit.
Ai që po konsiderohet për punën e trajnerit është ish-sulmuesi i Newcastle, Liverpoolit dhe Manchester Cityt, Craig Bellamy.
Giggs ka folur në javët e fundit se si ai është i prirur për t’u bërë numër 1 tek ndonjë ekip dhe ishte gati të merrte drejtimin e Swanseas para se të emërohej Bob Bradley.
Përvoja e tij e vetme me stërvitje është në ish-klubin e tij, United, ku ai ishte asistent i holandezit Louis Van Gaal për dy vjet përpara se të largohet kur Jose Mourinho mori përsipër skuadrën nga Old Trafford. /Telegrafi/