Site icon Telegrafi

Getoar Hoxha shpjegon gjithçka që duhet të dini për zbardhjen e dhëmbëve

Fytyra është ndër zonat më të rëndësishme të një personi, pasi që e përcakton pamjen vizuale të atij personi. Për një pamje të pastër, estetike dhe të shëndetshme, luajnë rol të rëndësishëm dhëmbët, përmes së cilëve arrihet buzëqeshja ideale joshëse – thotë Dr. Getoar Hoxha.

Getoar Hoxha
Stomatolog
tel. 049 837 116

Shumë njerëz sot vuajnë nga njollat dentare të cilat janë të shprehura në shkallë të ndryshme. Njësoj sikurse ata që kanë një higjienë ideale të kavitetit oral, edhe ata të cilët bëjnë vizita të rregullta te stomatologu hasin në probleme të tilla.

Megjithatë, për humbjen e shkëlqimit natyral të dhëmbëve përgjegjës janë edhe ushqimi, faktorët e mjedisit dhe mosha.

ZBARDHJA E DHËMBËVE

Zbardhja e dhëmbëve është një metodë e zbardhjes të dhëmbëve për arsye estetike. Sot, sikur asnjëherë më parë, ekzistojnë plot mënyra për t’i zbardhuar dhëmbët.

Ndonëse ka shumë produkte të kontradiktuara për këtë, është esenciale që zbardhja e dhëmbëve të bëhet nën përcjelljen e stomatologut sepse edhe rezultatet janë më të besueshme.

Vlen të ceket se zbardhja e dhëmbëve sot është një prej procedurave më të njohura kozmetike, pasi që për një kohë shumë të shkurtër arrin ta përmirësojë buzëqeshjen tuaj.

CILI ËSHTË NDRIÇIMI REAL DHE SA ZGJATË ZBARDHJA E DHËMBËVE?

Ngjyra e dhëmbëve natyral përcaktohet nga ngjyra e dentinës sepse shtresa e jashtme e dhëmbëve (smalti) është transparente. Ngjyra e dhëmbëve natyralë krijohet nga reflektimi i dritës në smalt, kombinuar me ngjyrën e dentinës nën të.

Mirëpo, gjenet gjithashtu ndikojnë në trashësinë dhe butësinë e smaltit – aq më i hollë dhe i butë që është smalti, aq më shumë vjen në pah ngjyra e dentinës dhe reflektimi është më i vështirë.

Për këtë arsye, edhe ngjyra e dhëmbit është më e errët.

FAKTORËT TË CILËT NDIKOJNË NË NDRYSHIMIN E NGJYRËS SË DHËMBËVE

Faktorët e tillë përfshijnë pirjen e duhanit, konsumimin e lëngjeve me ngjyrë (përfshirë kafen, çajin), mos kujdesin ndaj dhëmbëve, etj.

Varësisht nga shkalla në të cilën dëshironi t’i zbardhoni dhëmbët, edhe trajtimi ndahet në disa fraza.

Fillimisht është e rëndësishme të bëhet dallimi mes zbardhjes së dhëmbëve devital (të vdekur) dhe atyre vital (të gjallë).

Te dhëmbët e devitalizuar trajtimi bëhet përmes peroksidit të hidrogjenit – agjent zbardhues i cili aplikohet në brendësi të dhëmbët, pastaj dhëmbi mbyllet me mbushje të përkohshme deri në seancën tjetër kur hiqet agjenti zbardhues dhe dhëmbi mbyllet përgjithmonë. Peroksid hidrogjeni është pa erë, pa ngjyrë, por jo edhe pa shije. Kur ruhet në kushtet e duhura, është një përbërje shumë e qëndrueshme.

Në anën tjetër, dhëmbët e njollosur vitalë mund të zbardhen me ndihmën e bartësve të shabllonëve (splinteve) – të cilët përgatiten në mënyrë të posaçme dhe individuale. Aty aplikohet agjenti zbardhues në formë të xhelit, që ndryshe njihet si “metodë zbardhimi në shtëpi”.

Trajtimi bëhet në periudhë nga deri në katër javë. Fillimisht aplikohet produkti zbardhues dhe aty mbahet nga tri deri në katër javë.

Zbardhja me laser është një metodë tejet e suksesshme për të siguruar dhëmbët të bardhë Hollywood-ian. Agjenti zbardhues është xheli që përmban peroksid të hidrogjenit, dhe i cili, nën ndikimin e dritës së laserit, aktivizohet dhe shpejtohet procesi i zbardhimit.

Zbardhja e dhëmbëve me laser karakterizohet me rreze të forta, trajtim të butë dhe një rezultat të qëndrueshëm.

Para fillimit të zbardhimit të laserit, ndërmerren masat përgatitore për të mbrojtur mishrat, mukozën dhe gjuhën nga djegiet e mundshme.

Është gjithashtu e rëndësishme të merren masat mbrojtëse në mënyrë që të parandalohen djegiet nga rrezet e lara të energjisë së laserit, si dhe pacientëve u jepen syze të përshtatshme për t’i mbrojtur sytë.

Në tërësi, procedura zgjatë përafërsisht një orë, ku përfshihet pastrimi i dhëmbëve, zbardhimi dhe flourizimi i tyre.

Vlen të ceket se të gjithë pacientët ndahen jashtëzakonisht të kënaqur nga zbardhja e dhëmbëve me laser, pasi që efekti është i gjatë dhe dhëmbët zbardhen shumë.

PËR T’IU NËNSHTRUAR PROCEDURËS SË ZBARDHIMIT, PACIENTI DUHET TË KETË:

– Higjienë të mirë të kavitetit oral
– Të mos ketë gingvit ose parodontit aktiv
– Të mos ketë dhëmbë me karies

SIDOQOFTË, A ËSHTË I DËMSHËM ZBARDHIMI I DHËMBËVE?

Terapia e zbardhimit të dhëmbëve mund të shkaktojë efekte anësore në formë të mbindjeshmërisë si dhe reduktimi të lehtë të ngurtësisë sipërfaqësore të dhëmbit. Përveç kësaj, edhe irritimet mukozave mund të shkaktohen nga agjenti zbardhues, prandaj terapitë e zbardhjes me preparate mbi 0.1% të peroksidit të hidrogjenit duhet të kryhen vetëm nga stomatolog, si dhe pacienti duhet të informohet shumë mirë për metodat e aplikimit të tij në shtëpi.

Nëse iu përmbahemi udhëzimeve përkatëse, atëherë dëmtimi i mishit të dhëmbëve nuk mund të pritet. Për këtë është e rëndësishme që terapia gjithsesi të kryhet te stomatologu.

Flourizimi i sipërfaqes së dhëmbit pas përfundimit të terapisë zbardhuese është i dobishëm.

SHPESHTËSIA E ZBARDHIMIT TË DHËMBËVE

Zbardhja e shpeshtë ose intensive e dhëmbëve mund të shkaktojë ndryshime në indin pulpar, ose mund të shkaktojë ndjeshmëri shumë të shprehur të dhëmbëve. Kështu, rekomandohet që zbardhja e dhëmbëve të mos aplikohet disa herë në vit.

SHËNDETI I PËRGJITSHËM DHE NDIKIMI I TIJ NË NGJYRËN E DHËMBËVE

Ngjyra e dhëmbëve është shumë individuale dhe varet nga struktura dhe funksioni i dhëmbit. Ngjyra ndryshon gjatë jetës dhe ky ndryshim shkaktohet nga faktorë të shumtë, të cilët veçse i kemi përmendur më lart. Mirëpo, indikator i ndryshimit të ngjyrës është kariesi dhe sëmundjet e pulpës.

Përveç tyre, predispozita për ndryshim të ngjyrës mund të jenë edhe si pasojë e çrregullimeve shëndetësore, trashëgimisë, përdorimit të tepër të ilaçeve në fëmijëri si dhe marrja e tepruar e flourit.

KËSHILLA PËR ZBARDHJE TË DHËMBËVE PA SHPENZUAR SHUMË

Pikë kyçe te secili individ është mbajtja e një higjiene efektive orale dhe dentale. Së paku dy herë në ditë duhet t’i pastroni dhëmbët në mënyrë që të shmangni dëmtimin e tyre dhe të parandaloni shtresimin e depozitimeve në sipërfaqe të dhëmbëve.

Dy herë në vit duhet të bëhet pastrimi profesional nga stomatologu.

Gjithashtu duhet t’i pastroni dhëmbët me penj, të përdorni brusha interdentale, të përdorni pasta të dhëmbëve nga qymyri sepse qymyri mund të përdoret për të absorbuar toksina dhe ngjyrën e errët të dhëmbëve të njollosur.

Pra, qymyri ndikon kryesisht në heqjen e pllakave sipërfaqësore, mineraleve dhe njollat.

Edhe luleshtrydhet rekomandohet t’i konsumoni pasi përmbajnë një sasi të lartë të acidit dhe, nëse janë të freskëta, mund të përdoren për zbardhim të dhëmbëve, për heqjen e pllakut dhe njollave në dhëmbë.

Të gjitha këto janë metoda preventive me anë të cilave ju mbroni dhëmbët tuaj dhe ndihmoni në zbardhjen e tyre pa bërë shpenzime të mëdha. /Telegrafi/

Exit mobile version