Site icon Telegrafi

Gërvalla takon kryetarin e Bujanovcit, flasin për pasivizimin e adresave të shqiptarëve

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla sot ka vizituar Luginën e Preshevës, ndërkaq në takimin me kryetarin e Bujanovcit, Nagip Arifi u shtrua problemi i pasivizimit të adresave të shqiptarëve.

Kryetari i Bujanovcit në një postim në Facebook shkruan se u dakorduan që bashkëpunimi të vazhdojë edhe në të ardhmen deri në gjetjen e zgjidhjes së problemeve.

“Sot, kisha nderin që ta pres zëvendëskryeministren njëkohësisht Ministren e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës znj. Donika Gërvalla.

Ministren Gërvalla e njoftova me gjendjen politike, sociale e ekonomike të qytetarëve tanë, si dhe diskriminimin e vazhdueshëm nga Qeveria qendrore në arsim, zhvillim ekonomik, shëndetësi, me theks të veçantë pasivizimin e adresave të shqiptarëve, si dhe mos njohja e diplomave të fituara në Universitetet e Republikës së Kosovës.

U dakorduam që bashkëpunimi jonë të vazhdojë edhe në të ardhmen deri në gjetjen e zgjidhjes së problemeve”, shkruan Arifi. /Telegrafi/

Exit mobile version