Telegrafi

George Russell për herë të parë në karrierë fiton ‘pole position’, Sainz dhe Leclerc në pozitat dy dhe tre

Piloti i Mercedesit, George Russell, fitoi ‘pole position’ e parë në karrierën e tij përpara Çmimit të Madh të Hungarisë që zhvillohet të dielën.

Carlos Sainz i Ferrarit përfundoi në vendin e dytë, ndërsa shoku i tij i skuadrës Charles Leclerc përfundoi kualifikimin në vendin e tretë.

Piloti i Mercedes bëri një xhiro fenomenale të fundit dhe shënoi kohën më të shpejtë të kualifikimit prej 1:17.377, e cila ishte 0.044 sekonda më e shpejtë se Sainz.

Në një nga momentet vendimtare, Max Verstappen pati një problem me makinën dhe nuk mundi të mbyllte xhiron e fundit të shpejtë, duke përfunduar në vendin e 10-të.

Kohën e katërt më të mirë të kualifikimit e ka arritur Lando Norris, e të pestën Esteban Ocon, ndërsa në top 10 janë Fernando Alonso, Lewis Hamilton, Valtteri Bottas, Daniel Ricciardo dhe Max Verstappen i lartpërmendur.

Sebastian Vettel, i cili më parë kishte paralajmëruar se ky do të ishte sezoni i fundit i karrierës së tij, përfundoi në vendin e 18-të.

Sa i përket renditjes përpara garës së nesërme, Verstappen kryeson me 233 pikë, 63 më shumë se Leclerc dhe 70 më shumë se shoku i skuadrës Perez. Në renditjen e skuadrave, Red Bull është i pari me 396 pikë, ndërsa Ferrari është i dyti me 314 pikë. /Telegrafi/