Futbollistja e talentuar që jeton në Gjermani, Gentiana Fetaj, do të jetë pjesë e ekipit të Kosovës.
19-vjeçarja po zhvillon një karrierë të bujshme në Gjermani dhe vlerësohet si një futbolliste tejet e talentuar. Ajo deri më tash ka luajtur në të gjitha grupmoshat e Gjermanisë (U15, U17, U19).
Ndërmjetësues në ardhjen e kësaj futbolliste në kombëtaren dardane ishte gjyqtari i njohur dhe bashkëpunëtori i FFK-së, Gani Musliu.
Pas kontakteve të vazhdueshme me presidentin Agim Ademi dhe bisedimeve të gjata me futbollisten dhe familjen e saj, është marrë vendimi që tash e tutje Gentiana ta përfaqësojë Kosovën.
Tani FFK në kohë sa më të shpejtë që është e mundur do ta përgatisë dokumentacionin e nevojshëm për pajisje me pasaportë dhe për licencim në FIFA. Ardhja e Gentiana Fetaj do t’i japë impuls Kombëtares A për paraqitje sa më të mira në të ardhmen.
Ajo luan në rolin e mesfushores dhe deri më tash ka regjistruar 23 ndeshje për ekipin kombëtar të grupmoshave të Gjermanisë, derisa aktualisht është pjesë e FC Carl Zeiss Jena.