E përditshmja më e madhe e sportive në Itali, “Gazzetta dello Sport”, i ka kushtuar një hapësirë të vecantë një reportazhi rreth eksperiencës së Gianni de Biasit në kyre të kuqezinjve. Fitorja e papritur në Aveiro me Portugalinë, por edhe derbi i nxehtë ballkanin me Serbinë që do të zhvillohet më 14 tetor, kanë nxitur interesin e mediave europiane për kombëtaren shqiptare, që me një trajner ekspert italian, shpreson të bëjë realitet ëndrrën kuqezi. Reportazhi nis me reagimin e De Biasit ndaj familjarëve të Adnan Januzajt, që nuk denjuan as t’u kthenin një përgjigje SMS-ve të panumërta të tij për të kontaktuar:
“E gjeta numrin e celularit të babait të Adnanit dhe e kam mbytur me mesazhe në tri gjuhë: shqip, anglisht dhe frëngjisht. Duhet t’i kem dërguar nja 100. Nuk më është përgjigjur kurrë, madje as për të më thënë “Faleminderit, nuk na intereson. E kuptoj pse zgjodhi Belgjikën, por pak mirësjellje….”
De Biasi, – vijon më tej reportazhi,- është i njëjti djalosh plot energji, që po u afrohet të 60-ve. Tregon për Shqipërinë e tij nën rrezet e diellit të gushtit, në breg të një deti, që deri pak kohë më parë është kapërcyer nga klandestinët, por që sot shfrytëzohet vetëm nga skafistët që transportojnë marijuanë. Diktatura e Enver Hoxhës është vetëm një kujtim i keq, dëshira për t’u larguar ka mbaruar, kudo janë hapur kantierë ndërtimi. Janë të shumtë ata i kanë spostuar Call Center-at në këtë vend, me një fjalë puna nuk mungon. "Ata që janë larguar nga Shqipëria në vitet 90, tregon më tej de Biasi, – janë shpërndarë në të gjithë Europën dhe kanë lindur fëmijë. Unë i kam kërkuar kudo, madje kam mësuar edhe tipologjinë e mbiemrave me origjinë shqiptare. Thuajse kam trokitur shtëpi më shtëpi, unë dhe Tramezzani.”
Paulone Tramezzani ka gjithmonë të njëjtën buzëqeshje simpatike, që nga koha kur luante me Interin. Një buzeqeshje krenare, që lidhet me arritjet e tij si ndihmës i De Biasit. Nga Basha dhe Berisha deri te vellai i Xhakës, nga Kace dhe Shala, tek Abrashi, të gjithë djem të brezit të fundit, që në ndryshim nga vëllezërit e tyre më të mëdhenj Behrami, Shaqiri, Xhemaili dhe Xhaka i madh, që përfaqësojnë Zvicrën, kanë zgjedhur flamurin Shqiptar.
Ndeshja Serbi-Shqipëri, që do të luhet në Beograd, do të jetë në lupën e UEFA-s, e cila nuk do t’ia falte serbëve një tjetër sjellje të padenjë, sikurse ndodhi në sfidën me Kroacinë në Makarakana të Beogradit.
“Më kanë thënë se prej tre ditësh në televizionet e tyre tifozët këshillohen të mos djegin flamuj shqiptarë, për të shmangur një dënim të mundshëm nga UEFA, – tregon më tej De Biasi, sipas të cilit vendet e Ballkanit janë shumë të ndërlikuar, aq sa Shqipëria dhe Maqedonia përplasen për prejardhjen e Nënë Terezës së Kalkutës. Sikurse thotë një shprehje e vjetër “Nëse babai i lufterave është shpesh gjerman, nëna është gjithmonë ballkanike”. Tirana është mbushur me posterat e De Biasit, që po i udhëheq shqiptarët në një rrugëtim plot shpresa. Aty me shkronja kapitale shkruhet: “Unë besoj”, përfundon reportazhi i Gazzetta Dello Sport. /SP/Telegrafi/