Telegrafi

Gattuso afër shkarkimit, Napoli ka katër trajnerë në listën e dëshirave  

Gennaro Gattuso mund të shkarkohet nëse Napoli humbet kundër Juventusit nesër (e shtunë) dhe presidenti Aurelio De Laurentiis tashmë ka bërë listën me zëvendësuesit e mundshëm.

Napoli është i gjashti në tabelën e Serie A dhe është tre pikë larg vendit të katërt që dërgon në Ligën e Kampionëve.

Skuadra e Gattusos ka humbur dy nga tre ndeshjet e fundit në Serie A dhe është përballur me eliminimin nga gjysmëfinalja e Coppa Italia nga Atalanta më parë këtë javë.

Lexo po ashtu Gattuso me shumë gjasë nuk do të rinovojë me Napolin – klubi në bisedime me katër trajnerë

Sipas mediumit Il Corriere dello Sport, fituesi i Kupës së Botës me Italinë mund të shkarkohet nëse Napoli humbet kundër Juventusit nesër në Stadio Maradona.

Gazeta me bazë në Romë raporton se Rafa Benitez është kandidati kryesor për të zëvendësuar Gattuson, nëse ish-trajneri i Milanit shkarkohet.

Aurelio De Laurentiis raportohet të ketë kontaktuar dhe ish-trajnerin e Liverpoolit dhe Napolit në fund të janarit.

Sipas gazetës Tuttosport, ka edhe kandidatë të tjerë për këtë punë, të tillë janë Roberto De Zerbi, Ivan Juric dhe Vincenzo Italiano, por secili prej tyre do të transferohej në Stadio Maradona vetëm në fund të sezonit. /Telegrafi/