Berat Gjimshiti është mungesa e madhe e Atalantës këtë sezon.
Mbrojtësi shqiptar u lëndua më 21 gusht në sfidën Atalanta – Milan që përfundoi baras 1-1 dhe u detyrua ta lë fushën 10 minuta para fundit të ndeshjes.
Kanë kaluar gjashtë javë që Gjimshiti mbetet jashtë fushave, por ylli shqiptar do të duhet të pres edhe pak për tu rikthyer.
Ka qenë trajneri i Atalantës, Gian Piero Gasperini që ka folur për lëndimin e shqiptarit duke caktuar edhe datën e rikthimit.
Gasperini ka thënë se Gjimshiti tanimë ka nisur stërvitjen i diferencuar, por duhet pritur edhe 15 ose 20 ditë për të ditur se kur do t’i bashkohet skuadrës.
“Gjimshiti ka nisur sërish stërvitjen, sigurisht që i diferencuar. Megjithatë do ta dimë pas 15 ose 20 ditësh se kur do të mund të bashkohet me skuadrën”, tha Gasperini.
Qendërmbrojtësi shqiptar konsiderohet si një nga më të mirët te Atalanta dhe në Serie A për pozitën e tij. /Telegrafi/