Gjatë ditës së nesërme, presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani do të vizitojë Luginën e Preshevës.
Këshilltari i presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani, Flamur Gashi ka bërë të ditur se kjo është hera e parë që një president i Shqipërisë viziton shqiptarët në Luginën e Preshevës.
Ai ka treguar për Info Magazine të Klan Kosovës edhe agjendën e kësaj vizite.
“Jam kthyer nga Lugina, ishim në Bujanoc dhe Preshevë. Nishani nesër do të niset nga Tirana dhe nga pika kufitare Dheu i Bardhë e do të shkojmë në Bujanoc ku do të pritemi nga kryetari, Shaip Kamberi. Më pas do të shkojmë në Preshevë, ku do të ketë një takim me mësimdhënës dhe qytetarët e Preshevës”, tha ai.
Gashi ka treguar se kjo vizitë do të ketë karakter festiv.
“Qëllimi i kësaj vizite është që të festojmë bashkë Ditën e Mësuesit. Vizita është e karakterit të thjeshtë, nuk shkojmë me pompozitete dhe premtime të mëdha. Nishani nga fillimi ka planifikuar të vizitojë Plavën dhe Gucinë, që u bë më 1 korrik dhe tash radha i ka ardhur Preshevës”.
Sipas tij, ajo që ka bërë Shqipëria për Luginën e Preshevës është pak, njofton Klan Kosova.
“Besoj që Shqipëria do të ju qëndrojë sa më afër vëllezërve tanë në trojet etnike në Luginë”.
Gashi ka thënë se vizita në Preshëevë e Bujanoc nuk po bëhet ilegalisht dhe do të bëhet duke kaluar nëpër territorin e Kosovës.
“Ne nuk po shkojmë ilegalisht në Preshevë, kemi njoftuar edhe institucionet e Serbisë. Sot gjatë gjithë kohës jemi shoqëruar nga drejtuesit e institucioneve qendrore të Serbisë. Vizitën do ta bëjmë duke kaluar nëpër territorin, ku dhe më pas përsëri do të kthehemi për Gjilan. Është ftesë zyrtare e komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi”, tha Gashi. /Klan Kosova/