Telegrafi

Galtier për largimin e mundshëm të Mbappes: Nuk përqafohemi çdo ditë

Trajneri i PSG-së, Christophe Galtier ka thënë se nuk kishte folur me Kylian Mbappen për thashethemet për largimin e tij, por tha se nuk kishte parë asnjë pengesë në angazhimin e tij.

Në një konferencë të tensionuar për shtyp përpara ndeshjes të së dielës kundër Marseilles, Galtier mohoi se atmosfera është negative në dhomën e zhveshjes së PSG-së dhe akuzoi mediat për keqinterpretim.

“Çfarëdo që të them unë nuk më besoni kurrë, shkruani të kundërtën e asaj që them unë. Unë ju them se gjithçka po shkon mirë, se ata janë solidarë dhe ju thoni të kundërtën. Unë nuk jam këtu për të komentuar thashethemet, deklaroi ai.

“Sigurisht që ne nuk përqafohemi çdo ditë në dhomën e zhveshjes, është normale, por mund t’ju them se kjo atmosferë është shumë më e mirë se në vende të tjera dhe se është më e mirë nga ajo që thoni dhe mund ta imagjinoni”.

Në lidhje me thashethemet për largimin e Mbappes të publikuar të martën, disa orë para ndeshjes kundër Benficas në Ligën e Kampionëve, Galtier nuk pranoi të komentojë dhe tha se sulmuesi “kishte përgjigjen më të mirë”, pasi ishte lojtari i ndeshjes në barazimin 1-1.

“Kam shumë gabime, por jam shumë i sinqertë, nuk gënjej. Sa për Kylian, nuk kam folur me të për thashethemet, por e kam parë shumë të përkushtuar në përgatitjen e tij dhe serioz në qëndrimin e tij”, shtoi më tej ai. /Telegrafi/