Telegrafi

Galliani vjen me një ide të re për Superligën e Evropës, duke kërkuar përjashtimin e anglezëve nga kjo garë

Menaxheri i përgjithshëm i skuadrës në Serie A, Monza, Adriano Galliani ka bërë thirrje për formimin e një Superlige të re, por që nuk do të kishte klube angleze.

Propozimi ka ardhur nga Galliani, i cili e bëri këtë sugjerim gjatë një interviste për gazetën italiane Tuttosport.

Ish-zëvendëspresidenti dhe drejtori i përgjithshëm i Milanit e sheh këtë si një zgjidhje për pabarazinë ekonomike që kanë skuadrat evropiane, krahasuar me epërsinë monetare të klubeve të Ligës Premier.

“[Superliga] mund të jetë një zgjidhje, por pa anglezët. Duhet të ketë edhe një Brexit në futboll, atëherë do të ishte një kampionat i vërtetë evropian, pa britanikët”.

“20 klubet e Ligës Premier kanë një qarkullim pothuajse katër herë më të lartë se 20 klubet në Serie A”.

Galliani dhe shembulli i Monzës

Si shembull i kësaj pabarazie ekonomike, Galliani foli për skuadrën e tij Monza, e cila këtë sezon do të luajë në Serie A për herë të parë.

“Monza merr 33 milionë euro nga të drejtat televizive, 3 milionë euro nga të cilat duhet të shkojnë si donacion për Serie B për të lënë një total prej 30 milionë eurosh”.

“Një klub i sapo promovuar në Ligën Premier fiton 160 milionë euro. Si mund të konkurroj me Nottingham Forestin?”, ka thënë ai.

Për të ardhmen e Monzas në Serie A, 78-vjeçari shpjegoi se ata synojnë vendin e 10-të në renditje.

“Ëndrra ime e fëmijërisë u bë realitet, futja e Monzas në Serie A ishte më e vështirë sesa fitimi i Ligës së Kampionëve me AC Milan ”, ka thënë Galliani. /Telegrafi/