Site icon Telegrafi

Fyerjet e rënda që i tha gjyqtarit, ylli i Atleticos rrezikon një dënim shembullor

Ylli i Atletico Madridit, Angel Correa, po përballet me një pezullim të rëndë dhe të gjatë për shkak të një incidenti që bëri në ndeshjen kundër Getafes.

Konkretisht, gjyqtari Guillermo Cuadra Fernandez i ka treguar kartonin e kuq në minutën e 88-të të ndeshjes dhe më pas sulmuesi i Atleticos i është drejtuar me fjalë të pakërkuara.

Sipas raportit zyrtar të delegatëve, Correa ka sharë në fytyrë nënën e gjyqtarit, gjë që i dallohet qartë nga buzët e tij, pasi nuk i ka mbuluar me dorë.

“Bir i kurvës, frikacak! Do ta q*** nënën tënde”, është një përkthim i përafërt në gjuhën shqipe i asaj që Correa i tha Fernandezit.

Correa më pas postoi një falje publike për gjyqtarin në rrjetet sociale, duke shpjeguar se ishte i zemëruar që i kishte lënë në baltë shokët e skuadrës.

Por një falje publike nuk ka gjasa ta ndihmojë atë të shmangë dënimin e rëndë. Domethënë, sipas rregullave të La Ligës, ofendimi ose përdorimi i gjuhës fyese ndaj gjyqtarit dënohet me pezullim nga katër deri në 12 ndeshje.

Meqë ra fjala, kur Correa u përjashtua, Atletico priste 1:0, por në fund të lojës, Getafe arriti ta kthejë ndeshjen dhe të fitojë 2:1. /Telegrafi/

Exit mobile version