Telegrafi

Futbollisti i Wolfsburgut, dhëndër i Kosovës: Kukësi një orë larg nga shtëpia e gruas, shqiptarët kanë mentalitet që më pëlqen

Sulmuesi anësor i Wolfsburgut, Renato Steffen, pas dy ditësh do të jetë në Shqipëri për tu përballur me Kukësin.

Pasi që shumica e stafit dhe lojtarëve e kanë bërë problem ndeshjen që do të zhvillohet në Tiranë, Steffen ka folur me fjalë të mirë për vendin edhe pse e di që situata me pandemi në Kosovë dhe Shqipëri nuk është e mirë.

Lojtari zviceran e njeh mirë Shqipërinë, pasi gruaja e tij, Qëndresa, është një shqiptare nga Kosova.

Madje Steffen ka qenë dy herë në vendin tonë dhe duket se është larguar me mbresa të mira.

Sipas tij është keq që ndeshja do të zhvillohet pa tifozë pasi që do të takonte shumë familjarë të gruas në stadium.

“Gruaja ime është nga një vend një orë larg Kukësit. Qëndresa (gruaja) mendon se është turp që ndeshja do të luhet pa spektatorë. Përndryshe disa të afërm të saj do të kishin ardhur dhe unë do të përgatisja 30 fanella”.

“Kushërinjtë dhe hallat e saj jetojnë atje. Na vjen keq për pandeminë që s’mund t’i takojmë, por të shohim me çfarë ideje do të vijë gruaja ime”, ka thënë fillimisht futbollisti.

Pasi që mediat dhe klubi gjerman e kanë bërë situatën dramatike, Steffen është munduar t’i qetësojë.

“Më pëlqen mentaliteti i njerëzve në Shqipëri. Nuk është edhe aq dramatike situata për mua. Do të jemi të mirë organizuar atje, njësoj siç ishim në Ukrainë”.

“Si lojtar duhet të marrësh vetë përgjegjësitë. Do të jetë një udhëtim i këndshëm, është diçka ndryshe. Por më e rëndësishmja është të kthehemi me një fitore dhe të arrijmë në raundin tjetër”, ka thënë Renato Steffen për “SportBuzzer”.

Reanto dhe Qëndresa janë martuar tash e dy vite dhe kanë një fëmijë. /Telegrafi/