Norwich City ka konfirmuar se sulmuesi, Dieumerci Mbokani, ishte në aeroportin “Zaventem” gjatë sulmeve terroriste në kryeqytetin e Belgjikës, në Bruksel.
Fatmirësisht, ai ka shpëtuar pa lëndime. Dhjetëra persona humbën jetën, kurse qindra të tjerë pësuan lëndime pas tri shpërthimeve në aeroport dhe në metronë në “Maelbeek”.
Por, klubi nga Liga Premeir ka njoftuar se Mbokani, reprezentues i Kongos i transferuar në klub në formë të huazimit nga Dynamo Kiev gjatë verës, ishte “pa lëndime, por i tronditur” nga incidenti në kryeqytetin belg, transmeton zëri.
“Klubi është në kontakt të vazhdueshëm me Dieumercin, i cili është kthyer në shtëpi për të qenë pranë familjes. Mendimet e të gjithëve në Norwich City janë me viktimat e sulmeve në Belgjikë dhe familjarët e tyre”, thuhet në komunikatën e publikuar në uebfaqen zyrtare të klubit.
Sulmuesi 30-vjeçar Mbokani ka luajtur për skuadra të ndryshme evropiane, duke përfshirë Anderlecht, Standard Liege, Monaco, Wolfsburg dhe Dynamo Kiev prej ku është huazuar në Norwich City.