Mbrojtësi i Evertonit, Seamus Coleman, ka dhuruar 5.000 funte për një fëmijë të sëmurë irlandez, për të plotësuar ëndrrën e tij që të shkojë në Goodison Park.
Daire Flanagan nga Belfasti vuan nga sindroma Apert, ndërsa është bërë pjesë e një projekti në internet për të grumbulluar para që ai të udhëtojë në Merseyside për t’i parë heronjtë e tij duke luajtur në stadium.
Djaloshi i guximshëm i ka shokuar mjekët duke e planifikuar udhëtimin për ta parë Colemanin me shokë duke luajtur.
“E lexova tregimin për Daire në internet dhe do të dëshiroja t’i ndihmoj që të vijë në Goodison në sezonin e ardhshëm”.
“Kam bërë një donacion prej 5.000 funtesh dhe shpresoj që ato t’i ndihmojnë Daires dhe familjes së tij që të kenë një udhëtim të sigurt për në Liverpul. Mezi pres të të shoh në një ndeshje në sezonin e ardhshëm”, ka shkruar futbollisti irlandez në profilin e djaloshit në Facebook, njofton Telegrafi.
Mirëpo, nëna e tij ka thënë se do të jetë shumë vështirë që të realizohet ky udhëtim, kur dihet se Daire nuk mund të udhëtojë me një aeroplan pasagjerësh. Atij i nevojitet ‘aeroplan-ambulancë’ dhe një ekip mjekësor për ta shoqëruar.
Ajo preferon udhëtimin me anije, pasi do të ishte më i lirë dhe më lehtë i realizueshëm. /Telegrafi/