Telegrafi

Futbollistët e Maqedonisë grumbullohen në Shkup për takimet ndaj Italisë dhe Anglisë

Në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut në Shkup, mesditën e kësaj të hëne janë grumbulluar reprezentuesit e ekipit përfaqësues të vendit në futboll për dy ndeshjet e nëntorit në kuadër të eliminatoreve për Kampionatin Europian, i cili do të zhvillohet verën e vitit të ardhshëm në Gjermani.

Futbollistët iu përgjigjën ftesës së seleksionuesit Bllagoja Milevski për dy ndeshjet e fundit të këtij cikli eliminator, në listën e të cilët janë 25 reprezentues, shtatë prej të cilëve janë shqiptarë si Enis Bardhi, Ezgjan Alioski, Visar Musliu, Arijan Ademi, Agon Elezi, Erdon Daci dhe Isnik Alimi.

Ekipi përfaqësues kishte grumbullimin në hotelin “Hilton”, ndërsa pasdite do të ketë edhe stërvitjen e parë.

Maqedonia ndeshjen e parë do ta luaj me Italinë në Romë me 17 nëntor, përderisa tre ditë më vonë do të pret Anglinë në Shkup. /Telegrafi/