Telegrafi

Fushata e Norway Invest, dhe hajni-hajnin s’un e vjedh!

“Dikur moti, bota kishte njëfarë rregulli. Italianët ishin të korruptuar ndërsa skandinavët qëndronin të ndershëm. Por në Kosovë, “mafia e Vikingëve” është koncept që i përfaqëson përfituesit danezë, norvegjezë dhe islandezë. Ndërsa, kosovarët lokal i luten Zotit që italianët e pakorruptueshëm do t’i kapin ata.”

Ndërmarrja norvegjeze Norway Invest ka mbajtur premtimin e dhënë afër tri javë më parë; ishte zotuar se do të ndërmerr një fushatë kundër investimeve të huaja në Kosovë. Synimi kryesor i këtij veprimi të paralajmëruar, ka qenë i njohur për publikun nëpërmjet medieve – t’u bëjë me dije investitorëve të huaj se sa rrezik është të investohet në Kosovë. Shkakun e një veprimi të tillë Norway Invest e arsyeton me vendosmërinë e saj për t’iu hakmarrë Postë-Telekomit të Kosovës (PTK) dhe ish-Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP, tani të konvertuar në Agjencinë Kosovare të Privatizimit – AKP) si reagim ndaj kinse “humbjes së miliona eurove nga shkëputja e kontratës në vlerë prej 300.000 euro për projektin TETRA”. Më tutje në komunikatën e ndërmarrjes është thënë se përpos hakmarrjes kundër PTK-së dhe AKP-së ndaj të cilave ka ngritë padi, fushata në internet është ndërmarrë për interesat e popullit të Kosovës, kundër sistemit të korruptuar dhe keqpërdorimit sistematik nga nivelet më të larta në Kosovë. Një vistër shumë i madh i çështjeve dhe informacioneve në funksion të kësaj fushate është botuar në faqen e internetit www.dontinvestinkosovo.com, që në shqip do të thotë “mos investo/ni në Kosovë”. Thuhet se faqja është ende në ndërtim e sipër. Një deklaratë për shtyp e paskan botuar në gjuhën shqipe, italiane, serbe, gjermane, norvegjeze, dhe angleze. Në bazë të zotimeve të mëhershme dhe temave të prezantuara që tani gjinden në faqen e mësipërme, është e qartë se Norway Invest e ka ndërmend të bëjë kërdi në këtë drejtim. Të komentohet dhe analizohet diçka që tani shihet me sy, është punë e paefektshme. Analizat mund të nxjerrin debate të pafundme në lëmshin e madh që ekziston. Megjithatë, disa pyetje janë të pashmangshme dhe ato së paku kërkojnë përgjigje sipërfaqësore në formë të analizës. Pyetja e parë do të ishte:

A ka të drejtë Norway Invest?

Se në AKM dhe PTK ka pasur dhe ka korrupsion dhe keqpërdorime të fshehta dhe të hapura në përmasa shumë të mëdha, kjo nuk diskutohet sepse dihet si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës. Dihen edhe rastet e shumta kur zyrtarët e këtyre institucioneve u kanë kërkuar ryshfete investitorëve të huaj të interesuar për investime në Kosovë. Ajo çka na intereson më së shumti është të njihemi shkurtimisht me raportin AKP – PTK – Norway Invest para se të ndodhë kjo thyerje dhe hakmarrje.

Norway Invest është themeluar nga të punësuarit ndërkombëtar të ish-AKM-së dhe UNMIK-ut. Drejtor i kësaj ndërmarrje është norvegjezi Ove Johansen. Misioni i AKM-së ishte privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore dhe ristrukturimi i ndërmarrjeve publike të Kosovës. AKM-ja udhëhiqej nga e ashtuquajtura Shtylla e IV-të e UNMIK-ut. Zyrtarët ndërkombëtar të punësuar në UNMIK dhe AKM përpos pagesave të mëdha për misionin e tyre jashtë vendit (d.m.th. në Kosovë), interesoheshin shumë të marrin projekte në ndërmarrjet publike, qoftë drejtpërdrejtë, qoftë nëpërmjet lidhjeve t’ia kalojnë ato për përfitime bashkëkombësve të vet ose ndonjë grupi të vet të interesit. Se a vijnë mjetet nga organizatat ndërkombëtare apo Kosova nuk kishte rëndësi. Qëllimi ishte shumë qartë – përfitimi. PTK-ja ishte në pozitë monopoliste në sektorin e telekomunikimeve dhe ndërmarrja më fitimprurëse në Kosovë. Mundësi e mirë për të përfituar në këtë sektor, apo jo?

Norway Invest ishte kontraktuar nga PTK-ja për projektin TETRA, një projekt në kuadër të PTK-së për kontrollin e përgjithshëm të komunikimeve në shërbimet emergjente të Kosovës. Kontrata doli të jetë me parregullsi të mëdha dhe e dëmshme për PTK-në. Në bazë të kësaj u shkarkua dhe më pas u dënua me 4 vjet burg drejtoresha e PTK-së Leme Xhema. Johanseni ishte arrestuar në aeroportin e Podgoricës më 5 prill 2007 në bazë të një fletarresti ndërkombëtar për mashtrim në Kosovë rreth projektit në vlerë prej 300.000 euro. Edhe disa agjenci të njohura të lajmeve, si Reuters me 12 prill 2007, njoftuan se autoritetet e OKB-së janë duke kërkuar transferin e Johansenit të arrestuar në Mal të Zi nën akuzat për përvetësime të jashtëligjshme. Ngjarja dhe skandali i Norway Invest-it në këtë projekt ka qenë ndër temat kryesore dy muaj më vonë në kuadër të serisë së artikujve tragji-komik dhe kritikave shkatërruese të gazetës së përditshme më të madhe në Suedi (800.000 kopje) Dagens Nyheter për sistemin e (pa)drejtësisë në Kosovën e udhëhequr nga UNMIK-u. Për rastin konkret, duhet të shkëpusim një citat sa interesant aq edhe komik:

“Dikur moti, bota kishte njëfarë rregulli. Italianët ishin të korruptuar ndërsa skandinavët qëndronin të ndershëm. Por në Kosovë, “mafia e Vikingëve” është koncept që përfaqëson përfituesit danezë, norvegjezë dhe islandezë. Ndërsa, kosovarët lokal i luten Zotit që italianët e pakorruptueshëm do t’i kapin ata.”[1]

Çka do të thotë ky paragraf? Nuk kemi nevojë të mendojmë shumë. Duhet vetëm të vazhdojmë leximin nga ai artikull dhe i gjejmë sqarimet pse termi “mafia” i cili në tërë botën është i njohur se ka origjinë italiane/siciliane si term dhe organizatë, në rastin e Kosovës i mveshet skandinavëve, dhe në të njëjtën kohë, jo vetëm që i zhvesh italianët nga ky emërtim por i bënë ata të pakorruptueshëm. Pak më lartë në të njëjtin artikull, gazeta raporton për gjenezën e projektit të Johansenit.

“Tipi i katërt i cubave ia vë syrin një preje më të majme dhe, prandaj, guxon të përballë ca rreziqe. Si britaniku Roxher Rejnollds, shef i [O]KB-së nga po kjo ndërmarrje PTK. Ai e gjen një partner që quhet Norway Invest dhe i paguan si kapar 300.000 euro shefit të asaj ndërmarrje Ove Johansen për një kontratë të premtuar. Kontratë që mund të kap vlerën me dhjetëra miliona. Është thënë se Norway Invest do ta zgjeroj rrjetin e telefonisë emergjente [mobile]. Pastaj Rejnolldsi e falënderon [O]KB-në për besimin e dhënë dhe kalon në ndërmarrjen norvegjeze ku ai gëzon pagën 20.000 euro në muaj – para këto të Kosovës që ia ka kontraktuar vetë firmës norvegjeze. A bën vërtet të bësh kështu, bërtasin gazetat lokale. Posi, pse s’bëka, njofton zëvendës-guvernatori Andi Birpark [po ashtu britanik si Rejnolldsi]. Ai për vete nuk sheh këtu konflikt interesash.” Ja se si vazhdon hetimi i gazetarit të Dagnes Nyheter në argumentimin e asaj që ne e cituam më herët, por ai e thotë më vonë në formë të konkluzionit, se bota në Kosovë është më vështirë të kuptohet për shkak të risisë unike kur skandinavët e ndershëm bëhen mafiozë ndërsa italianët të pakorruptueshëm:

“Këtu është momenti ta lehtësojmë pak atmosferën. Në Kosovë nuk është keq gjithçka, fundja edhe në përralla të trishtuara ka zana të mira. Në Kosovë ato flasin italisht dhe ngasin Alfa Romeo. E çfarë fati se, kësaj radhe ato arrijnë në kohën e duhur. Një mëngjes, tri vetura të zeza ndalojnë para Norway Investit, e prej tyre dalin tetë individë në kostume të zeza. Janë policë nga Guardia di Finanza italiane, që u nevojitet një orë ose pak më shumë të zbulojnë se ky drejtori Johansen, i cili për më shumë se një vit po kontraktonte një kontratë gjigante me [O]KB-në, në vendin e vet nuk paska leje të hapë as kioskë të hamburgerëve (qebaptore). Ai është kriminel, i është ndaluar të ushtroj veprimtari afariste me borxhe që tejkalojnë shumat prej 100.000 euro dhe pasuri në vlerë prej 3 euro. Del jashtë Johanseni. Veçse Kosovës s’iu kthyen kurrë 300.000 eurot e kaparit.”[2]

Me tërë këtë historiat krimi të organizuar, që nuk përfshin periudhën pas vitit 2007, Norway Invest dhe Johanseni tani kanë nisur fushatën në internet kundër investimeve të jashtme në Kosovë. Duket shumë paradoksale kur plaçkitja e 300.000 eurove (dhe shumave tjera) tani kthehet në një ofensivë tjetër, që mund të supozohet se vjen si hakmarrje ndaj pamundësisë për të plaçkitur siç është menduar në fillim. Pyetja e dytë është:

A duhet të brengosemi për këtë fushatë?

Gjithsesi po. Një kërkim në Google për “invest in Kosovo” (investo/ni në Kosovë) sjell diku 881,000 rezultate. Mirëpo, faqja në ndërtim www.doninvestinkosovo.com sapo është lëshuar në përdorim dhe është në ndërtim e sipër, dhe atë në 6 gjuhë. Me kalimin e kohës kjo faqe vizitohet më shpesh. Dokumentet dhe informacionet e botuara barten edhe në faqe tjera interneti. Mund të hapen edhe forume debatesh në 6 gjuhë, shkruhen analiza që do t’i përdornin ato dokumente si burim referencash sepse janë zyrtare. Faqja zyrtare e Agjencisë së Kosovës për Promovimin e Investimeve (IPAK) http://www.invest-ks.org/ për momentin nuk del në rezultatin e parë të kërkimit në Google me fjalën “invest in Kosovo”. Vet IPAK-u si institucion është me tepër një promovim faqe interneti se promovim faktik dhe tërheqje e investimeve. Zyra e tij në Vjenë me emrin Economic Initiative for Kosovo – ECIKS (Nisma Ekonomike për Kosovën) që pretendon të jetë një përfaqësi për vendet gjermano folëse (Austri, Gjermani, Zvicër) është përshkruar nga shoqatat afariste të Kosovës si një lloj marketingu politik, sado që kjo zyre në faqen e saj të internetit ka shumë analiza dhe të dhëna të mira për ekonomi dhe investime. Ngjashëm cilësohet edhe themelimi i zyrës së IPAK-ut në Skoci (nuk kam informata nëse është themeluar ose duke funksionuar) që do t’i përfaqësonte interesat e Kosovës për Evropën Veriore ku hyn edhe Norvegjia. Kur të gjitha këtyre u bëhet një vështrim që Nobelisti për Ekonomi, Keneth Erou, e quan “helicopteric view” (shikim nga helikopteri), krijohet përshtypja se ka qenë e domosdoshme të ndërmerret një fushatë kundër institucioneve dhe agjencive të Kosovës brenda dhe jashtë për t’ua hapur sytë. Brenga kryesore është se një fushatë e tillë po bëhet nga një grup i pandershëm. Prandaj, pyetja e tretë dhe më e rëndësishme që del si rezultat i përgjigjeve në dy pyetjet e mëhershme është:

Çka duhet të bëjmë?

Vetëm sa për koincidencë, 28 marsi 2009 është pikërisht 20 vjetori i suprimimin të autonomisë së Kosovës nga Serbia, ose dita kur u bënë ndërrimet e dhunshme në kushtetutën e KSAK-së, me çka Kosova për një dekadë u vu në thundrën e regjimit të Millosheviqit. Norway Invest kishte paralajmëruar se faqja kundër investimeve në Kosovë do të lëshohet më 28 mars 2009. Ajo u lëshua dy ditë më vonë, më 30 mars. Tjetër konicidencë (s’)mund të jetë fakti se Telenori norvegjez e bleu Telekomin e Serbisë gjatë kohës kur Norway Invest po bënte biznesin me PTK-në të përshkruar më lartë në këtë Reagim. Po gjatë asaj periudhe gjatë vitit 2006 dhe më herët, Telenori ka qenë i interesuar të bëhet operatori i dytë i telefonisë mobile në Kosovë, por nuk kishte pasur sukses. Ai ishte diskualifikuar nga gara për shkak se Mobteli serb, pronar i 100 për qind të aksioneve ishte bërë Telenori, vepronte jashtë ligjit në Kosovë dhe kështu ai siguronte përparësi në garë. PTK-ja në dhjetor 2006 ngriti padi kundër Telenorit dhe kërkoj dëmshpërblim mbi 400 milionë euro.

Pyetjes çka duhet të bëjmë, ende nuk mund t’i përgjigjemi për gjithë këtë lëmsh të krijuar. Nuk është kjo çështje vetëm e ndonjë organizate, PTK-së, apo IPAK-ut. Ishte dashur të jetë problem për nivelin më të lartë të shtetit në Kosovë dhe Norvegji. Kur jemi te Kosova, nuk duhet anashkaluar pyetjen rreth rolit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AIK). Çka është duke bërë kjo Agjenci për këtë problem nuk e dimë, por e dimë se ligji për të, struktura organizative e saj, veprimtaria dhe planet e saj në të ardhmen janë të drejtuara në tërësi kundër interesave të qytetarëve të Kosovës. Ministria e Punëve të Brendshme si institucion kompetent për luftimin e krimit të organizuar nxiton t’i pajis me letërnjoftime dhe leje pune çdo kë të huaj, kinezët, pakistanezët, çerkezët, dreqin e t’birin, ndërsa për qytetarët e Kosovës ende nuk ka ligj. Kushti i domosdoshëm është që të jeni i huaj; nuk ka rëndësi a jeni keqbërës në shtetin nga vini apo keni ikur si kriminel. Kështu e parasheh edhe Kushtetuta e Kosovës – se çdo gjë e huaj nga secili cep i globit duhet të jetë mbi çdo gjë në Kosovë. AIK-u është një grup i banditëve gjysmë-analfabetë të cilit qytetarët dhe shoqëria e Kosovës duhet t’i ruhet më shumë se çdo organizate tjetër të huaj kriminale dhe terroriste. Fundja, AIK-u është vetëm pjesë e krimit të organizuar ndërkombëtar të cilit edhe i jep llogari. Qytetarët dhe shoqëria e Kosovës duhet t’i hapin sytë mirë ndaj këtij organizmi tërësisht kuinsling.

Ministria e punëve të jashtme do të duhej të ishte shumë kompetente ndaj fushatës së Norway Invest. Kjo ministri udhëhiqet nga dy ish-përkthyes: ministri Skënder Hyseni, ish-përkthyes i ish-kryetarit të Kosovës Ibrahim Rugova; dhe zëvendësministrja, adoleshentja Vlora Çitaku, ish-përkthyese e kryeministri aktual Hashim Thaçi. Vlora Çitaku tash së voni deklaroj në RTK se “Kosova është një vend i vogël dhe ne nuk mund të krijojmë aso politika të jashtme që mund të kenë ndikim në nivelin global, për shembull në problemin e Gazës, mbrojtjen kundër raketore në Evropë Qendrore; ne nuk i kemi atë lloj radarësh, ne jemi një radar i vogël”. Kështu dekori i “shminkatur” (grimosur) mirë dhe me buzë herë të kuqe e herë ngjyrë vjollce, varësisht prej karminit që e përdorë për “shminkatje”, mundohet t’i ikë përgjegjësisë duke llomotitur për një projekt të cilin as Pentagoni nuk di se si të veprojë më tutje – të vazhdoj me zbatimin e tij apo ta anuloj. Kësaj i thonë: “Mendja e kalbur në trupin e shëndoshë (të Vlora Çitakut)”.

300.000 euro që i vodhi Norway Invest nuk ishin të qeveritarëve por të popullsisë së Kosovës. “Hajni-hajnin s’un e vjedh”, thotë një fjalë popullore shqipe, por hajnat, d.m.th. Norway Invest dhe PTK mund ta vjedhin palën e tretë – popullsinë e Kosovës. Drejtuesit e ndërmarrjes norvegjeze kanë mbetur në Podgoricë dhe nuk po guxojnë të kthehen në vendin e tyre. Shkaku u sqarua më lartë. Podgorica mbetet një qytet ku duket se Norway Invest e ka bazën për një kohë të gjatë. Atje në vitin 2007 ishte arrestuar Johanseni. Për korrupsionin e PTK-në dhe të Norway Invest vlen thënia popullore “merre njanin, e mshaj tjetrit”. Por pyetja çka duhet të bëjmë, ende mbetet e hapur.

Fushata dhe adresa në internet ka domethënie shumë të keqe. Duhet të reagohet dhe insistohet tek qeveria norvegjeze dhe vendet tjera ku është i regjistruar ai domen, që të mos e ketë atë emërtim. Kjo është detyra kryesore. Faktet rreth korrupsionit në Kosovë mund të plasohen me adresa tjera. Ato nuk mund t’i ndal askush. Ndoshta edhe duhet t’i përkrahim, ani pse prapa tyre qëndron një grup i krimit të organizuar. Synimi për të akuzuar në tërësi vetëm keqbërësit norvegjezë dhe t’i nxjerrim matrapazët vendor në tërësi si të ndershëm, mund të jetë një goditje e madhe luftës kundër korrupsionit dhe mos prishjen e rehatisë korruptive të institucioneve kuinslinge të Kosovës. Propaganda e Norway Invest së paku ishte dashur t’ua hapë sytë e mbyllur me perde të hekurt institucioneve shtetërore të Kosovës. Nuk është kjo hera e parë që të huajt përpiqen publikisht t’ua hapin sytë institucioneve mercenare të Kosovës. Me herët, ish-ambasadori slloven në Kosovë, Vojko Volk, deklaroj publikisht se elita politika kosovare ka një varshmëri të frikshme ndaj bashkësisë ndërkombëtare. Më vonë u ngrit kancelaria e Gjermanisë, Angela Merkel, kur në konferencë për shtyp në Berlin u tha gazetarëve, po e parafrazoj, se nuk ka kurrfarë force ndërkombëtare që mund t’i detyroj njerëzit e Kosovës të punojnë për interesat e shtetit të tyre; ata duhet ta bëjnë këtë vet. KFOR-i takohet me përfaqësues të strukturave paralele serbe edhe pse nuk i njeh ato. Edhe EULEX-i vepron kështu rregullisht. Më mars 2009, zëdhënësja e EULEX-it, Karen Limdal, duke iu përgjigjur vërejtjeve të medieve për këto takime, tha: “Qeveria e Kosovës asnjëherë nuk ka protestuar ndaj takimeve të përfaqësuesve të EULEX-it me përfaqësues të strukturave paralele serbe. Nuk do të thotë se ne i legjitimojmë ato [strukturat paralele].” Tash na erdhi fushata e Norway Invest. A ka forcë ta detyroj Qeverinë e Kosovës të reagoj praktikisht dhe si duhet? Në vend se të dal me ndonjë deklaratë në ditën kur u lëshua në përdorim faqja e internetit www.dontinvestinkosovo.com, më datën 30 mars 2009, Qeveria është e zënë me një punë praktike – vendosë për financimin e strukturave paralele serbe në sektorin e shëndetësisë, duke menduar se kështu bëhet një lloj integrimi. Në anën tjetër, gjendjen në shëndetësinë qe e ka në kompetencë të plotë, e ka sjellë në aso pozite sa që qytetarët që kanë nevojë për mjekime frikësohen t’i nënshtrohen atyre se mos po sëmuren më shumë. Se ku do të shpijnë të gjitha këto budallallëqe, ende nuk dihet por mund të supozohet.

Përfundimi

S’ka përfundim. Korrupsioni, keqpërdorimet, hetimet, mercenarizmi, propaganda dhe mos reagimet praktike vazhdojnë. Nuk u dihet fundi. Për jetën në tokë ose fundin e saj mund të supozohet diçka. Për të gjitha dukuritë negative dhe degjeneruese në Kosovë supozimi është pak më i vështirë.