Site icon Telegrafi

Është funksionalizuar objekti i ri i Gjykatës Themelore në Gjakovë

Gjatë ditës së djeshme është zhvilluar ceremonia për shënimin e ditës për fillimin e punës në Gjykatën Themelore në Gjakovë në objektin e ri, si hap tjetër i rëndësishëm për përmirësimin e efikasitetit të sistemit gjyqësor.

Gjykata Themelore në Gjakovë ka gjithsejtë 17 gjyqtarë dhe 64 persona si pjesë të stafit administrativ, ndërsa dega në Rahovec ka gjithsej 6 gjyqtarë dhe 28 staf administrativ, kurse ajo në Malishevë ka gjithsej 5 gjyqtarë dhe 29 staf administrativ.

Objekt i ri është i pajisur me teknologjinë më të avancuar, ka gjithsejtë  13 salla gjykimi, ku do të ushtrojnë detyrën rreth 17 gjyqtarë, i cili pa dyshim do të ketë rritjen e efektivitetit në Gjykatën e Gjakovës.

Gjatë ceremosisë së funksionalizimit të kësaj Gjykate, i pranishëm ishte edhe kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, i cili theksoi rëndësinë e hapjes së objektit të ri të Gjykatës Themelore në Gjakovë, i cili përmirëson ambientin për gjyqtarët dhe qytetarët, duke ofruar salla të përshtatshme dhe teknologji të avancuar.

Ndërsa kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi, e cilësoi këtë një arritje të rëndësishme për sistemin gjyqësor dhe një hap përpara në modernizimin e institucioneve të drejtësisë.

Besim Kelmendi, U.D. i Kryeprokurorit të Shtetit, shprehu mbështetje dhe përkushtim për një bashkëpunim të ngushtë mes prokurorisë dhe gjykatës, për të siguruar një sistem të drejtë dhe efikas.

Në fjalën e tij kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, shtoi se ky projekt është një kontribut i çmuar për rritjen e cilësisë së shërbimeve publike dhe për forcimin e lidhjeve mes institucioneve dhe komunitetit lokal.

Ndërkaq, Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjakovë, Nikollë Komani, falënderoi të gjithë për kontributin e tyre në realizimin e këtij projekti dhe premtoi se qytetarët dhe stafi do të angazhohen me gjithë kapacitetet për të përmbushur obligimet kushtetuese dhe ligjore me qëllim që qytetarëve t’u ofrojë shërbime gjyqësore efikase.

Exit mobile version