Telegrafi

Fundjava sjell derbin Shkupi – Shkëndija në Superligën e Maqedonisë

Xhiroja e 17-të në Superligën e Maqedonisë së Veriut këtë fundjavë do të sjell super derbi ndërmjet Shkupit dhe Shkëndijës.

Bardhekaltërit përballë kuqezinjëve do ti matin forcat në stadiumin e Çairit, me të dyja skuadrat që “luftojnë” për kreun, ku aktualisht ndajnë vendin e parë me pikë të barabartë, përderisa fituesi i këtij derbi do të nxjerrë njërën nga skuadrat tri pikë përpara.

Përveç derbit në Çair, do të ketë edhe duele tjera, teksa hapjen e kësaj xhiroje e bën takimi Makedonija Gjorçe Petrov – Vardari që luhet ditën e nesërme, duke nisur nga ora 13:00.

Në program të ditës së diel, Struga Trim Lum do të luajë në Kavadar përballë Tikveshit, ndërsa Gostivari është mysafirë i Sileksit në Kratovë.

Ekipi shqiptar nga Ohri, Voska Sport gjithashtu në këtë xhiro luan në udhëtim në Shtip, ku për kundërshtarë do të ketë Bregallnicën, teksa në takimin tjetër Rabotniçki përballet me Brera Strumicën.

Ndeshjet e xhiros së 17-të në Superligën e Maqedonisë së Veriut janë paraparë të luhen në termin të njejtë, duke nisur nga ora 13:00./Telegrafi/