Korporata Energjetike e Kosovës sh.a. duke marrë për bazë dhe e shqetësuar me sjelljen e paprecedent të individëve të papërgjegjshëm brenda Korporatës lëshon këtë ftesë publike për bashkëpunim për punonjësit e KEK sh.a.
Menaxhmenti i KEK-ut përkushtimin e vet për përmirësimin e kushteve të punës e ka treguar në terren. Të gjithë jemi dëshmitarë të investimeve në pjesë të ndryshme të Korporatës në përmirësimin e kushteve për punë ditore. Janë siguruar me kohë dhe në sasi të mjaftueshme mjetet mbrojtëse në punë dhe është bërë nivelizimi i pagave për punonjës nga i cili nivelizim Menaxhmentit të KEK-ut u janë ulur ndjeshëm pagat, përderisa rritje në paga kanë patur punonjësit e të gjitha niveleve tjera. Përveq kësaj është duke u punuar në gjetjen e një kompanie të sigurimeve që do të ofronte sigurimin jetësor dhe të punës për të gjithë punonjësit (gjë e cila nuk bëhet nga ndonjë kompani vendore aktualisht). KEK-u vazhdon edhe më tej të mbuloj shpenzimet mjekësore për punonjësit e Korporatës dhe të njëjtën gjë do ta bëjë edhe në vijim.
Procesi në të cilin është futur KEK-u është i pakthyeshëm. Republika e Kosovës është nënshkruese e Traktatit të Athinës që rregullon tregun energjetik rajonal. Ky Traktat parasheh edhe zhvillime specifike në tregun e energjisë elektrike që do të finalizohen me liberalizim të plotë të të njëjtit treg. Kosova është e obliguar ndërkombëtarisht të punoj në realizimin e segmenteve përkatëse të këtij Traktati.
Ndarja vite më parë e operatorit të sistemit të transmisionit dhe tregut (KOSTT) nga KEK-u ka qenë fillimi i këtij procesi. Tashmë Korporata ka nisur procesin e shthurjes së mëtejme të kompanisë, gjegjësisht ndarjen e prodhimit nga distribuimi dhe furnizimi i energjisë elektrike. Kjo shthurje është duke u bërë në përputhje të plotë me Ligjet në fuqi në Kosovë dhe me vendim ligjor të aksionarit të vetëm të Kompanisë, Qeverisë së Republikës së Kosovës. Pas përfundimit të suksesshëm të shthurjes do të vazhdohet me procesin e privatizimit të kompanisë së re distributive. Edhe ky proces tashmë është vulosur dhe ka marrë miratimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Këto dy procese të rëndësishme nëpër të cilat do të kaloj Korporata janë jetike për zhvillimin e mëtutjeshëm të sektorit energjetik të vendit. Nëpër të njëjtat procese kanë kaluar ose janë duke kaluar të gjitha vendet e Evropës jug-lindore. Për më tepër, finalizimi i suksesshëm i këtyre dy proceseve dhe proceseve tjera riorganizative në të ardhmen do të rezultoi në përmirësim të mëtutjeshëm të kushteve të punës për të gjithë punonjësit.
Frytet e këtyre zhvillimeve do t’i shijojmë të gjithë. Pasuria e ngritur nga punonjësit e Korporatës do të vlerësohet në formën më meritore dhe nuk do të lejohet askush të nënvlerësoj atë që është punuar dhe është duke u punuar.
Korporata është në rrugë të duhur të arritjes së vetqëndrueshmërisë financiare. Ngritja e nivelit të faturimit dhe inkasimit gjatë vitit ta kaluar dhe dy muajve të parë të këtij viti, ulja e ndjeshme e humbjeve komerciale, fillimi i aplikimit të një sërë politikash të reja në punë (që aplikonhen kudo në botën e zhvilluar), ngritja graduale e cilësisë së furnizimit me energji elektrike dhe zhvillime tjera pozitive nuk duhet të frikësojnë askënd që punon për të mirën e KEK-ut dhe Kosovës. Zhvillimet e tilla pozitive dhe format moderne të afarizmit nuk do të ndalojnë por vetëm do të fuqizohen edhe më tej.
Menaxhmenti i KEK sh.a. fton të gjithë punonjësit që të distancohen nga thirrjet dashakeqëse që janë duke u bërë këto ditë për grevë pune. Kjo ftesë nuk ka bazë meritore, meqenëse thirret për çështjet për të cilat Menaxhmenti ka treguar mirëkuptim, ka ndërmarrë masa dhe mbetet edhe më tej i fokusuar në përmirësimin e kushteve të përgjithshme të punës. Menaxhmenti është i bindur që kjo ftesë vije nga burime të caktuara që dëshirojnë të destabilizojnë sistemin energjetik të vendit për qëllime kryekëput personale dhe karrieriste. Menaxhmenti zotohet se individët të cilët veprojnë në kundërshtim me ligjet e vendit dhe dëmtojnë Korporatën në çfarëdo forme do të mbahën përgjegjës për veprimet e tyre.
Menaxhmenti i KEK sh.a. falënderon të gjithë punonjësit për angazhimin shembullor që po tregojnë në të gjitha fushat e veprimtarisë. Bashkëpunimi i punonjësve dhe menaxhmentit të KEK-ut po jep frytet e veta dhe do të shënoj edhe zhvillime tjera pozitive. Së bashku mund dhe do të ja dalim që Korporatën tonë ta shëndrrojmë në kompani të suksesshme me të cilën do të mburremi ne dhe konsumatori ynë. Dera e bashkëpunimit mbetet e hapur për të gjithë që dëshirojnë të punojnë për të mirën e Korporatës dhe Kosovës.
/Ju faleminderit, Menaxhmenti i KEK sh.a. /