Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) për tri ditë rresht do të organizojë seleksionime të reja për futbollistët kandidatë për ekipe kombëtare të Shqipërisë. E atë që Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) nuk e ka bërë në Kosovë, do e bëjë FSHF-ja, sikur edhe herët e shkuara.
Në programin e Drejtorisë së Ekipeve Kombëtare në FSHF është paraparë ndjekja e kandidatëve të lindur në vitin 2002. FSHF-ja, pos lojtarët nga zonat e ndryshme të Shqipërisë, në ditën e tretë të kampit, më 10 mars, ka paraparë të bëjë seleksionimin e futbollistëve të rinj nga Kosova.
Seleksionimi i kësaj grupmoshe do të nisë sot dhe do të përfundojë të enjten, në Qendrën Stërvitore të Ekipeve Kombëtare në Kamëz, shkruan sot Koha Ditore.
“Më 8 mars, në ditën e parë të aktivitetit, do të marrin pjesë kandidatë nga Zona Tiranës dhe e Korçës. Në ditën e dytë nga zona e Fierit dhe Durrësit. Dita e tretë do të jetë edhe më intensivja sepse do të vëzhgohen nga afër kandidatë të zonave të Shkodrës, Elbasanit dhe nga Kosova. Këto seleksionime do të nisin çdo ditë nga ora 10:00”, thuhet në njoftimin e FSHF-së.
Në grupin e punës për këtë seleksionim janë trajneri i ekipit “A” të Shqipërisë Gianni De Biasi, ndihmëstrajneri Paolo Tramezzani, trajneri i ekipit Shpresa Redi Jupi, trajneri i ekipit U-19 Arjan Bellai, i U-17 Xhemal Mustedanagiq dhe Denis Lilo nga Drejtoria e Ekipeve Kombëtare.