Sipas mjekëve, krijesat e vogla të detit, të pastra si ngjyra e kristaltë e ujit të tij, është e domosdoshme të hahen një herë në javë, sepse përmbajnë proteina dhe elementë që janë konsideruar si ilaç i trurit. Ngadalësojnë plakjen, rigjenerojnë mendjen, ndezin erosin dhe largojnë rreziqet kardiovaskulare si dhe ndihmojnë në zhvillimin e trurit të fetusit. Frutat e deti janë një burim i pasur me acide yndyrore omega-3, që janë thelbësore për zhvillimin e trurit dhe funksionimin normal të tij.
Konsumi i këtij ushqimi, të paktën një herë në javë, eliminon plakjen e trurit në masën 13 për qind, duke i dhuruar atij rreth 3-4 vjet më shumë rini. Acidet yndyrore që ato përmbajnë janë të rëndësishme, pasi shërbejnë edhe si rregullatorë të shumë proceseve në organizëm. Ato ndihmojnë në uljen e triglicerideve, ulin viskozitetin e gjakut dhe tensionin arterial, si dhe reduktojnë rrezikun e aritmisë. Kështu, njerëzit që konsumojnë një vakt me peshk ose fruta deti të paktën një ditë në javë, kanë 50% më pak risk për infarkt. Ato ndikojnë në uljen e dhimbjeve menstruale kur dihet se te gratë me çrregullime janë të rritura substancat inflamatore.
Gjithashtu, marrja e Omega 3 ndikon në përmirësimin e krizave depresive dhe migrenën si dhe është e nevojshme te gratë shtatzëna, sidomos në periudhën e krijimit të trurit dhe syve të bebes. Për më tepër kallamarët, sepjet karkalecat, midhjet dhe peshku renditen të parët në listën e ushqimeve stimuluese të kënaqësisë e mes ushqimeve afrodiziake, frutat e detit janë pa diskutim më të preferuarat. Shumë i pëlqejnë për aromën e fortë të detit, të tjerë për fortësinë, shijen e mrekullueshme, por edhe për pastërtinë, meqenëse ushqimin dhe oksigjenin e marrin nga uji.
Frutat e detit janë pa diskutim ushqimi ideal për një darkë romantike nën shoqërinë e njeriut të zemrës. Thonë se disa të tilla në darkë "sigurojnë" një natë të zjarrtë, ndërkohë fuqinë afrodiziake të tyre mund ta japin nëse konsumohen të ziera dhe me pak limon.
Sekreti i fuqisë eksituese qëndron në substancat që ato përmbajnë, si kripërat minerale dhe në mënyrë të veçantë glikogjenit, thelbësor për kontaktimin muskulor. Molusqet "magjike", që jetojnë në vende të caktuara në thellësi të detit, ishin ushqimi i preferuar i grekëve të lashtë. Që atëherë e deri në mesin e viteve ‘700, frutat e detit filluan të ishin ushqimi kryesor i pasanikëve, sidomos francezëve aristokratë.
Edhe në Amerikë, ku deri pak kohë më parë konsideroheshin si ushqim i të varfërve, në Filadelfia vendet ku shiteshin ishin më të shumta në numër se piceritë në kohën e sotme.
Kanë pak yndyrë dhe përvetësohen lehtë nga organizmi, ndaj për këtë arsye, konsiderohen edhe si "ushqimi-ilaç" i atyre që vuajnë nga arterioskleroza. Vërtet të mrekullueshme. Kjo na bën të mendojmë se edhe pse janë pak të shtrenjta, me të vërtetë ia vlen t‘i përdorësh, sidomos pas darkës!
Të gatuash frutat e detit është një akt dashurie, një veprim sensual. Sigurisht që edhe të ngrënit është diçka e tillë. Këto krijesa të mrekullueshme, që jetojnë në thellësitë e deteve apo oqeaneve të përqafuara pas shkëmbinjve apo ujit për aromën dhe pastërtinë që kanë, ia vlen t‘i përdorësh edhe në darkat mondane. Këtë e thonë të gjithë ata që e njohin vlerën e misterit që fshihet brenda guaskave të tyre. Të hash një pjatë me fruta deti, të shoqëruar me bukë të bardhë, gjalpë dhe pak limon, është gjithmonë një përvojë e jashtëzakonshme.
Përmbajnë hekur, zink, vitamina dhe glikogjen: të gjitha këto të mbyllura brenda dy guaskash. Verë e kuqe apo e bardhë? "Moskat", "Chardonnay" apo "Pay d‘Oleron"? Megjithatë, vera e bardhë "Chateau de Tigne", është idealja për të shoqëruar pjatat me bazë karkalecash, aragoste dhe frutash deti, sepse një shishe verë dhe një pjatë me fruta deti, kanë shumë gjëra të përbashkëta.
Për të shijuar atë që kanë brenda të dyja, duhen hapur me shumë kujdes dhe pasi hapen të dyja, janë të gatshme të përhapin një aromë të mrekullueshme, duke na dhuruar në çast atë kënaqësi që ndoshta asnjë ushqim tjetër nuk mund të na i japë. /shqip/