Frika është ndjenjë e pakëndshme. Njeriu kur e pret ose e sheh rrezikun, qoftë real apo joreal, frika ndodh në mes të perceptimit apo pritjes së rrezikut të vërtetë ose imagjinar. Frika përcillet me rizik, është një emocion shumë i theksuar, trishtim, habi, zemërim dhe neveri, do të thotë se në kultura të ndryshme e shprehur në mënyra të njëjta ose të ngjashme
Abdirahim Idrizi
Poliklinika “Galaxy”
abdirahimidrizi@gmail.com
Frika është një ndër problemet më të mëdha të jetës, është një mendim i mbetur në kurthin e mendjes. Mendja me frikë është në konfuzion dhe mund të jetë e dhunshme dhe agresive. Ndërsa frika si dhimbje ka për qëllim për të mbrojtur trupin nga rreziku por edhe nga dëmtimi mëtejshëm.
Struktura kryesore në tru që rregullon formimin e frikës reagon kur jemi në një situatë kërcënuese ose të rrezikshme, Hypothalamus / talamusi aktivizohet menjëherë dhe dërgon mesazhin përderisa të mos jemi të lirë nga frika, përderisa të shpikim çdo lloj arsye si pretekst për dështimet për paaftësitë tona dhe do të vazhdojmë duke kërkuar arsye për gabimet tona, do të mbetemi në errësirë. Kjo tregon paaftësinë për t’u përballur me realitetin, me statusin tonë të vërtetë. Duke jetuar në një shoqëri të tillë si kjo e jona, e korruptuar dhe e çmendur, me një konkurrencë, që gjeneron frikë, jemi të mbingarkuar pikërisht me një lloj frike, që të tremb, deformon, shtrembëron për çdo ditë, për të ardhmen e pasigurt tonën dhe të fëmijëve tanë.
A e njohim frikën?!
Një ndër çështjet kryesore të frikës është fakti se nuk duam të ballafaqohemi me realitetin tonë, të pajtohemi ashtu siç jemi realisht. Nga mungesa e kërkesave elementare si p.sh: Frikësohemi të mos e humbim vendin e punës, mungesa e ushqimit, veshmbathjes, shkollimit për fëmijët. Frikësohemi nga dhimbjet dhe sëmundjet, nga dominimi për të mos ditur se çfarë janë dashuria dhe besimi. Frikën e dëbon vetëm besimi, besimi i fortë në veten, në Zotin. Besimi të përcjellë deri në fund të jetës. Normalisht duhet t’i shqyrtojmë të gjitha sistemet e shmangies që kemi krijuar gjatë kohës. Atë moment që do të ballafaqohemi me problemin, me rrezikun, me punën tonë, atë moment ne do të zgjidhim atë.
Gjëja e parë që mund të pyesim se çfarë është frika, dhe si lind ajo. Paaftësitë tona për t’u ballafaquar me realitetin do të thotë lëvizja nga qartësia në paqartësi dhe kjo është ajo që ne e quajmë frikë. Frikësohemi nga e ardhmja, nuk jemi të përgatitur, e kaluara është e egër është e vrazhdë, bën një krahasim me kohën e shkuar e në të ardhmen. Përgatitu, mbaje mendjen top, ku shkove, ku ike, rri në gatishmëri dhe mos lejo të të befasojë asgjë. E papritura, e ardhmja mund të jenë të rrezikshme, tani ke diçka, por mund edhe të humbasësh. Mendimet që i projekton në kokën tënde janë mendime herë pas here të dyshimta për suksesin. Dyshimi për sukses e prodhon frikën. Vetë mund të vini re një gjë të tillë. Kur të jeni përballë diçkaje në mënyrë imediate nuk ekziston frika.
A ka mundësi që mendja jonë të përqendrohet dhe të jetojë me të tashmen?! A ka mundësi që mendja jonë të orientohet të përshtatet sipas kushteve dhe rrethanave që nuk varen nga ne?! A ka mundësi që të arrijmë të ngrihemi në lartësinë e duhur dhe që të mos na e prishin humorin?! Nëse humori prishet, atëherë frika mund të na kaplojë. Mendimet, ashtu si edhe kujtesa, janë të domosdoshme në jetën e përditshme, janë mjeti i vetëm që kemi për të komunikuar, për ta bërë punën tonë. Mendimi është reagim ndaj kujtesës, që vjen si akumulim i përvojës, njohjes, traditës dhe ambientit që na rrethon. Një nga detyrat e trurit është që të jetë i angazhuar, i preokupuar me diçka në çdo moment.
Shumë prej nesh tentojmë ta mbajnë mendjen gjithmonë të zënë për të mos e parë realitetin e vërtetë. Kemi frikë nga rreziqet, kemi frikë nga të papriturat, s’jemi të gatshëm të përballemi me frikën tonë. Është një pyetje me shumë rëndësi. Specialistët e kanë ndarë frikën në një nivel të thellë dhe në një nivel sipërfaqësor, por pa e kuptuar përvojën individuale, dogmat, njohjen, nuk do ta kuptoni veten tuaj. Nëse arrini të përballeni me frikën, të përballeni me dëshpërimin, vetminë e xhelozinë, apo me çdo gjë tjetër të pahijshme, do të vëreni se mendja juaj do të jetë e qetë, do të mund të shohë të vërtetën dhe realitetin. Atëherë ju e keni dëbuar frikën, ju nuk jeni xheloz, mendja juaj është e lirë. Thuaj nuk dua të kem brenda vetes as dhe një grimë urrejtjeje, xhelozie, ankthi ose frike, dua të jetoj krejt në paqe. Nëse dimë t’u shmangemi dhunës, politikës, luftërave, urrejtjeve ndërnacionale, urrejtjeve fetare, atëherë ne arrijmë të ngrihemi në lartësinë e duhur. Të mos lejojmë të na futin frikën, të na marrin lirinë.
Klione, një njeri i mençur i Greqisë, thoshte: “Tri gjëra janë të vështira – të mbash në heshtje një sekret, ta shfrytëzosh mirë kohën dhe të durosh me qetësi. Tё tria këto gjëra, në kohën tonë duket se janë në rrezik më shumë se asnjëherë tjetër, duke qenë se sot shoqëria vuan të gjejë një njeri që di të mbajë një sekret, një njeri të besueshëm, një njeri që di ta shfrytëzojë kohën e të durojë me qetësi.
Duhet kuptuar që njeriu herë pas here pa nevojë krijon pakënaqësi. Në jetë ka fatkeqësi që vijnë nga jashtë, por në shumicën e rasteve, fatkeqësitë njeriu ia krijon vetvetes. Kjo botë është e bukur, shumë e mirë, me njerëz të mrekullueshëm, të aftë e të talentuar. Në të shpërndahet mbi ju prania ime, dashuria që ju të mund të jetoni të qetë dhe të lumtur. Ju mos harxhoni kohën kotë, ju filloni të ndryshoni veten, kështu mund ta ndryshoni edhe botën. Ju duhet të përjetoni këtë transformim, jemi njerëz dhe njeriu gabon. Të gjithë e dimë se e vërteta është e pastër dhe e qartë, ajo është thelbi i jetës, i ekzistencës dhe i natyrës. As kafshët, as insektet, asgjë nuk qesh, nuk gënjen, përveç njeriut.
E gjithë ekzistenca duhet të jetojë në të vërtetën, por njeriu është ai që e prish ekzistencën. Dua t’jua përcjell mesazhin edhe juve, lexues të nderuar. Kjo mua më ndodhi që herët, derisa isha në izolim të plotë, 45 vjet më parë. Burgu, izolimi i ndërtesës ishte me mure të trasha i mbrojtur si nga jashtë ashtu edhe nga brenda. Ndërtesa ishte shumë e fortë, dhoma me mure të larta, lart ishte një dritare e vogël që mund të dija se kur ishte ditë dhe kur natë. Rreth meje mbretëronte qetësia absolute, nuk më bezdiste askush. Nga jashtë asgjë nuk dëgjohej. Nuk më lejohej asgjë, as libra të lexoja. Tërë kohën rrija në një karrige dhe në një krevat druri. Afër ishte një bidon plastike për ujë dhe afër saj ishte një bidon tjetër për të bërë nevojën. Dhoma ishte aq e vogël sa nuk kishte vend për të lëvizur. Në fillim mendoja, mandej filloja të meditoja. Meditimi vazhdoi të zhytej në thellësi të shpirtit. Kur zhytesha në meditim, në ëndërr të thellë, atëherë arrija të vëzhgoja veten se si ha, të shikoja veten edhe se si isha ulur në karrige.
Dhe kështu vazhdoja t’i vëzhgoja gjërat rreth vetes, por bota e jashtme nuk ndryshonte asgjë. E dija se në brendinë time kishte ndryshuar shumëçka. Ku e shikoja ndryshimin? Ndryshimi qëndronte në brendinë time, deri para 30 vjetësh. Puna ime, veprimtaria ime kanë mbetur të njëjta si më parë pa ndryshime, por unë nuk jam ai i mëparshmi, pasi nuk jam si kam qenë, transformimi ishte i brendshëm, ky transformim me këtë mesazh duhet pranuar. Edhe tash jam i luhatshëm. Në atë kohë nuk isha i vetëdijshëm, nuk kisha përgjigje. Edhe tash, herë pas here dyshoj, kërkoj që t’ju jap juve një porosi, ndërsa vetes një përgjigje. Ky ndryshim fizik, por edhe shpirtëror që ndodhi në mua si ndodhi. Mendoja, kërkoja sqarim nga vetvetja, kërkoja arsye të nga diçka që ishte e largët nga ana fizike. Që atëherë kisha krijuar një lidhje të fortë mes trupit dhe shpirtit, por nuk isha i vetëdijshëm. Është dashur të kalojnë vite, është dashur të ballafaqohem me shumë mrekulli e dhimbje, por edhe me tmerre.
Pa dëshirën time isha i izoluar, por aty gjeta qetësinë time absolute. Fillimi i parë i izolimit (45 ditët e para), pa asnjë dritare, nuk e dija kur ishte ditë as kur ishte natë. Mendoja se isha i qetë, por nuk ishte ashtu. Drita artificiale ma prishte qetësinë, çdo pesë minuta fikejndizej. Sa herë që fikej-ndizej unë nuk isha i qetë. Pas 45 ditëve më transferuan në një qeli i vetëm ku kishte një dritare. Që atëherë unë e dija kur është ditë e kur është natë. Isha i lumtur që më transferuan në këtë qeli. Aty gjeta qetësinë time absolute. Këtë qetësi ma prishnin vetëm kur gardianët më ofronin ushqimin (mëngjesin, drekën, darkën), por edhe kur vinte nata dhe kur agonte dita.
Pasi arrita të isha më komod në këtë qeli, fillova të bëja oazën time në brendinë time të shpirtit. Isha i qetë, koncentrimi ishte në nivel, zhytesha në ëndrrat e mia, imagjinoja. Isha i izoluar nga mure të trasha, përpiqesha të kaloja përmes tyre duke vazhduar ta përplasja kokën për muri. Kjo më tregonte se sytë e mi janë të mbyllur. Unë nuk e shihja se ishte mur. Me kohë filloja të përfytyroja në një farë mënyre se ajo ishte derë dhe kështu filloja të kaloja pa pengesa. Dilja nga ajo derë që të shëtisja në qendër të Zagrebit (pasi e njihja Zagrebin mirë), shikoja vitrinat, shikoja gardërobat dhe pastaj kthehesha nga kisha dalë.
Për çdo ditë dilja herë nga dera, herë nga ajo dritare dhe kthehesha përsëri. Çështja qëndron në atë që unë e kuptova gjendjen time, izolimin tim, në të cilin jetoja në atë kohë. Në raste të tilla, mrekullia qëndron në atë se a ke mundësi të kuptosh gjendjen në të cilën gjendesh, atëherë papritmas shfaqet drita, ta kuptosh realitetin është drita jote. Të gjitha këto për mua janë të vërteta. Pasi mbaruan hetimet, më dënuan. Të njëjtën ditë më liruan të mbrohesha në liri. Të pabesueshme, por janë të vërteta, për shumë kënd, shumë gjëra kanë qenë të pabesueshme, por sot janë realitet.
Pyes veten: A më kanë mësuar filozofët, shkencëtarët, librat që janë shkruar tashmë e dy mijë vjet më parë? Kemi dëshirë të dimë se si mendojmë, ndonëse rrallë kemi dëshirë të dimë se si marrim frymë, e si e tretim ushqimin, se si ecim, si dëgjojmë, si shikojmë, a kemi kontroll ndaj veseve. Këtu paraqiten një shumicë e butë e njerëzve. Në anën tjetër janë njerëz shumë të egër të pangopur. Njëjtë është edhe me kafshët, kafshë të dobishme, të buta dhe kafshë të egra të dëmshme. Do të thotë është një fuqi, e cila në çdo gjë është e lidhur ngushtë me natyrën. Po pyes mendjen, i bëj pyetje vetes, mundohem të jap përgjigje, jam përpjekur të zbuloj nëpërmjet mendjes se po ato nxitje herë pas herë më bëjnë të dyshimtë. Zoti, natyra, njeriut i ka dhënë çdo gjë. Besoj se gjërat që nuk na takojnë, që nuk mund t’i arrijmë, nuk janë puna jonë. Deklaroj se dua ta hulumtoj veten, veprimet e qenies së domosdoshme, mbi mua.
/Telegrafi/