Telegrafi

Frika nga dështimi

Mirela Sula
Psikologe

“Dy frikërat më të mëdha që ne zhvillojmë janë: frika e dështimit dhe frika nga kritikat” (Brian Tracy)

Bashkëshorti i J-së, punonte në ministri. Prej vitesh kishte ecur në karrierën e tij dhe jetën profesionale e kishte shumë aktive. Ndërsa J-ja, e cila ishte martuar menjëherë pas mbarimit të studimeve nuk kishte punuar asnjë ditë, pasi fill pas martesës kishte mbetur shtatzënë dhe tashmë në moshën 33 vjeçare ishte nënë e tre fëmijëve. Rezultatet e saj në Universitet kishin qenë të shkëlqyera, edhe gjatë kohës që kishte qenë fëmijë, ishte ndjerë e vlerësuar, pasi ishte shumë e dhënë pas aktiviteteve jashtë shkollore. Por tani, ajo, pa e kuptuar, ishte shndërruar në tjetër njeri, që sipas saj do të thoshte dështim. I shoqi, tepër kritik ndaj saj, nuk bënte gjë tjetër veçse e zhyste çdo ditë e më shumë në pellgun e mendimeve, se ajo ishte e pavlerë, njeri pa ambicie, që nuk dinte të bënte gjë tjetër veçse të gatuante dhe të rriste fëmijë. Të tillë perceptim kishte krijuar J -ja, për veten, një grua e paaftë dhe e pazonja, deri sa një ditë shpërtheu në kriza të forta paniku.

Shqetësimi për dështimet e perceptuara është një proces vetëndëshkues për njeriun. Kur mendojmë për dobësitë, të cilat nxisin dështimin, ne anashkalojmë pikat tona të forta. Kështu ka ndodhur edhe me J-në, e cila duke u ballafaquar çdo ditë me kritikat e të shoqit, nuk pranon t’i kujtojë vetes se ajo është gruaja që para disa vitesh kishte dalë shkëlqyeshëm në universitet. Thua ajo të ketë harruar se sa aktive dhe e admirueshme ka qenë gjatë kohës së fëmijërisë kur merrte pjesë në festa e aktivitete jashtë shkollore ? Çfarë ndodhi që e bllokoi fuqinë e J-së., për të shprehur edhe ajo aftësitë? Dyshimi te vetja, negativiteti dhe kriticizmi, nuk bëjnë gjë tjetër veçse pengojnë procesin e krijimit të vetëbesimit tek ne. Prandaj është e rëndësishme t’i shprehim mendimet tona ashtu siç i ndjejmë, sidomos kur "bashkëbisedojmë me veten" dhe të punojmë për të rritur vetëbesimin ashtu siç punojmë në rritjen e fëmijëve tanë.

Njerëzit me vetëbesim të lartë, përpiqen të identifikojnë pikat e forta dhe sukseset, përpara se të shqetësohen për dobësitë e tyre. Fokusimi në gjërat pozitive dhe identifikimi i vlerave më të qëndrueshme, mundëson një vizion më real për veten dhe ndihmon në krijimin e vetëbesimit të shëndetshëm. Dhe po aq e rëndësishme është të jemi empatikë me veten. Ta dëgjojmë atë me dhembshuri, pa e gjykuar dhe duke ia konfirmuar vlerat. Në këtë mënyrë mund të jemi më të qetë kur të na duhet të përballemi me mendime kontradiktore. E nëse një çast mbyllim sytë dhe vizualizojmë rezultatin pozitiv ose suksesin tonë do të thotë se po e sfidojmë frikën nga dështimi.
Në këtë proces, do të na ndihmonte përdorimi i metodave të ndryshme për të larguar zërat e atyre që reagojnë negativisht ndaj punës, arritjeve apo paraqitjes tonë, të cilët na pengojnë të jemi, ai/ajo që realisht duam të jemi, në punë, në familje, apo në shoqëri.Si mund ta projektojmë të ardhmen duke dëgjuar çdo ditë simfoninë e kritikave dhe ndjesinë e të qenit i dështuar? Nëse biem pre e këtyre zërave asnjëherë nuk do mund të shprehim aftësitë që ndryjmë dhe as të përfytyroj më se çfarë mund të na sjellë e ardhmja. Por, nëse i bëjmë ballë këtyre shtytjeve dhe ta ruajmë me fanatizëm profilin tonë, mund të ndezim dritat që do përhapen për të na ndriçuar rrugën: të vishemi në mënyrën që dëshirojmë, të punojmë sipas metodës tonë dhe të sillemi në mënyrën që na bën të ndihemi më mirë dhe në paqe me veten. Kështu priremi të gjejmë rrethin që na jep qetësinë që duam, miq që na shërbejnë si trajnerë për të na frymëzuar drejt fitores, në sfidën që kemi për të rritur vetëbesimin. Kjo për arsyen e thjeshtë se secili prej nesh ka nevojë për një mjedis pozitiv ku të tjerët do të mund të na mbështesin gjatë përpjekjeve tona për t’u përmirësuar. Përfytyroni një trajner futbolli, i cili në prag të ndeshjes i thotë lojtarëve të ekipit të tij "Sot do të humbisnit”. Skuadra, me siguri që do ta humbiste këtë ndeshje.

Shpesh dëgjojmë këtë frazë klishe: "Të jesh vetvetja." Të ndjehesh vetvetja përbën elementin parësor për të ndërtuar dhe përvetësuar vetëbesimin e natyrshëm. Nëse gjatë jetës jemi duke luajtur role të caktuara, e kemi të pamundur të ndjehemi vetja e të reagojmë pa maska. Nuk arrijmë dot të kemi besim në vendimet tona, ndërsa pretendojmë të realizojmë gjëra të pamundura dhe në fund përfundojmë duke gënjyer veten. Nuk arrijmë të kemi besim te vetja, pasi ndjehemi të frikësuar se të tjerët mund të na zbulojmë si jemi në të vërtetë. Individi fillon të luajë role të caktuara që në fëmijëri dhe ky fakt është pashmangshmërisht i lidhur me ndërtimin e vetëbesimit. Nëse gjatë krijimit të identitetit të tij, njerëzit përreth e kritikojnë vazhdimisht, kërkojnë që ai të jetë ndryshe, ai rritet me frikën për të qenë vetja. Edhe nëse e aprovojnë kur ai bën gjërat që ata dëshirojnë dhe ai u përgjigjet kërkesave të tyre, ai po mëson të dalë jashtë vetes. Është si një frikë që e pranon ta përjetosh, vetëm për të shmangur refuzimin e tjerëve. Kjo frikë nuk na ndihmon të ndërtojmë një vetëbesim të shëndetshëm dhe të ndjehemi të vlerësuar. /Telegrafi/

"Kush kritikon të tjerët, në të vërtetë po korrigjon vetveten." (Arthur Schopenhauer)