Intervistoi: Rita Rrjolli
Në karrierën e tij ai ka 7 CD dhe 270 këngë të kënduara në gjuhë të ndryshme të botës, si dhe katërmbëdhjetë nominime në “Grammy Awards 2007” në të gjitha kategoritë. Kështu, Frederik Ndoci, ashtu siç edhe shpreson, pa asnjë diskutim, do të mbetet edhe mbas shumë vitesh në zemrat e shqiptarëve.
Frederik, më tregoni për eksperiencën tuaj te Këngët e Shekullit…
Po bëhesha gati për një turne në Australi, kur Pandi Laço më propozoi të merrja pjesë në Këngët Popullore Qytetare të Shekullit. Pasi e pyeta për pjesëmarrësit e tjerë, e pashë shumë të arsyeshme që spektatori të rifreskonte edhe një herë vlerën e jashtëzakonshme që kanë këngët qytetare dhe sidomos këngët shkodrane, të lëna në harresë. Kontributi im nuk do të ishte thjesht si Frederik. Ishte një përgjegjësi e plotë të risillja të freskët në mijëvjeçarin e ri ato perla që talentet e Shkodrës i shkruan shekuj më parë dhe mjeshtrit më të mëdhenj të muzikës shqipe, i kultivuan e i sollën me aq kujdes. Doja të bëja po aq të dashura për brezin e ri, sa i bënë të dashura paraardhësit artistë për mua, kështu qe vendosa të filloja punën shumë seriozisht.
Cila është ajo këngë që kur e keni kënduar, jua ka kujtuar një person apo vend dhe gjatë interpretimit, e keni pasuar gjithë kohës në mendje?
Performanca me duetin e pamundur me artisten e madhe Marie Kraja më ka bërë vërtet të përlotem, sepse gjatë gjithë këngës, kam menduar: “A thua brezat që vijnë do të kenë të njëjtin respekt për artistët që nuk jetojnë më?”. Ky ka qenë një emocion i papërshkrueshëm.
Po në Festivalin e RTSH-së, u ndjetë i vlerësuar?
Në Festivalin e 50 nuk kisha asnjë pretendim për vlerësim, pasi unë e kam thënë një herë fjalën time si Frederik në Eurosong, por a është e drejtë që spektatori të mos ketë aromën e festivaleve të dikurshme? Nuk është e drejtë që artistët e mëdhenj shqiptarë e braktisin këtë skenë që na pagëzoi që në hapat e para të artit tonë individual. Unë ndjehem shumë i vlerësuar, pasi çmimi i karrierës dhe i kritikës do të thotë mjaft.
Sa besoni në juritë e festivaleve shqiptare?
Me pak pakënaqësi mikroskopike të vlerësimeve nga juria kësaj radhe, niveli i gjykimit ka qenë më profesional. Nuk isha dakord që kënga e Endri Sinës dhe Shpëtim Kushtës të ishin aq te poshtëruara në vlerësim.
Jeni shprehur se Eurovizioni është spektakël që e fitojnë vetëm gejt? Jeni ende i këtij mendimi?
Unë e kam cituar dhe konkluzioni për Eurosongun nuk ka se si të ndryshohet, pasi është aktivitet që ka pothuajse 24 vjet që drejtohet dhe menaxhohet nga gejt.
I paragjykoni këta persona?
Unë nuk jam paragjykues, por vazhdoj të jem simpatizant i rrugës së Zotit dhe vazhdues i Adamit.
Frederik, si një ndër këngëtarët më me përvojë në tregun muzikor, si e shikoni muzikën që bëhet sot?
Sot, si arti, edhe jeta, kanë pjesët e veta të ndritura, por edhe pjesët e errëta, por unë mendoj se më shumë peshon ana e errët, pasi kultura dhe prurjet e turmës nuk kanë assesi të jenë të përkryera dhe të një niveli që është shumë poshtë dhe larg mesatares. Këtu nuk i duhet vënë faj i vetëm debutuesit, por në radhë të parë, krijuesve. Në tërë botën, muzikën e prishin të parët kantautorët me disnivel, të cilët mendojnë se pasi kanë çuditur disa miq të vetët, mund të çudisin lagjen, qytetin, shtetin, kontinentin dhe botën, por besomëni, bota është shumë e pamëshirshme në lirinë e artit të rrugës. Atje, ish-censurës së monizmit ia marrin të keqen, pasi bota, sa më demokrate të jetë, aq më të vështirë e ke të nxjerrësh dhe të përdhosësh shijet e të tjerëve.
Do ta bënit një bashkëpunim me Noizy-n në rrymën hip-hop?
Unë mund të bashkëpunoj me Eminemin, por emra të tjerë të kësaj gjinie më thonë shumë pak … Pavarësisht respektit që kam për to si qenie njerëzore, e kanë të vështirë të bëjnë art që do të jetojë gjatë.
Pas shumë vitesh jashtë, u kthyet në Shqipëri. Çfarë patë ndryshe në momentin e kthimit?
Për njerëzit miopë dhe nihilistë, Shqipëria kurrë nuk do të bëhet, por nëse bota vlerëson arritje në Shqipëri si në ekonomi dhe në nivelet e jetesës, në krahasim me vendet e tjera të dala nga ish-regjimet diktatoriale, besoj se nuk ia fut kot. Të blesh një botë të tërë që flasin pozitivisht për ne, më duket e vështirë. Unë u besoj edhe syve, edhe fjalës së urtë popullore: “Ku ka za, nuk asht pa gja”. Po të mos ishte premisa se Shqipëria është mbarë, ju mendoni se Frederik Ndoci do të pranonte të rrinte këtu?
A keni menduar ndonjëherë të ktheheni e të jetoni në Shkodër?
Shkodra është atdheu im dhe i urtit shqiptar. Çdo sekondë të jetës, mendja më rri atje dhe sigurisht, në varret e Rrmajve në Shkodër kemi varrin familjar që na pret, por sa të jem gjallë dhe kudo të jetë gjykuar të jetoj, unë s’resht së shfryri nga malli.
Fakt është edhe se krijimet e mia të reja janë pothuajse të gjitha këngë dedikuar Shkodrës, si “Zonja Shkodër”, “Rreth e rreth Shkodrës”, “Ah, ky mall”, “Ah,jeta ime”, “Jare shkodrane”, “Balada e Gurit”, etj. Kam frikë se ba me shku në Shkodër, do të shkruaj më pak këngë për Shkodrën time që më mungon aq shumë dhe bëhet pasioni, kopertina e shkopi i ar¬tit tim të sapokrijuar.
Si e kalon Frederiku një ditë normale?
Një ditë normale kalon edhe për mua si gjithë njerëzit e tjerë, por më lë shumë mbresa nëse nuk e puth Marilunë, vajzën time që ma ka mbushur këtë jetë aq plot, sa vetë fjala “plot”, më duket shumë e zbrazët. Bëj jetën e një familjari!
Sa beson Frederiku në dashuri?
Unë besoj në Zot e kush beson në Zot, beson edhe në Dashuri, pasi ai e fali atë për të na treguar se sa fort na do. Pastaj, pa dashuri si do të qëndronin në ekuilibër planetet, galaktikat, oqeani dhe drita e diellit? Imagjino si do të ishte interpretimi im pa këtë ndjenjë që quhet dashuri. Si mund të më shikonte Marilu me dritën e hirit të Zotit dhe ta lija me kalu pa e mbytë me mijëra të puthura? Besoj verbërisht.
Po jeta juaj sentimentale me Alisën, si shkon?
Shkon shumë mirë, jam i lumtur. Duhet kuptuar drejt se kemi të drejta e detyra dhe engjëjt në krah qetësisht po më thonë se gjithçka është bekuar prej të Madhit Zot. Dashuria dhe qetësia shpirtërore më mamanë e vajzës sime, Marilusë, është në qiellin e shtatë.
Fëmija, mendoni se erdhi në momentin e duhur për ju?
Fëmijët i sjell Zoti, por gjithsesi, me ndihmën tonë. Ai e di se kur t’i fal e t’i merr, pra, as nuk ka dhe as do të ketë paragjykim për këtë fenomen.
Si i keni marrëdhëniet me dy vajzat që jetojnë jashtë?
Sigurisht, jeta e tyre është e ndryshme, Kalifornia i kalon caqet e imagjinatës dhe fantazisë dhe në telefonata, si telefonove, si të telefonuan, harxhon gjithsesi. Gocat e mia sapo shikojnë telefon “privat”, sigurisht që nuk e ngrenë, pasi atje mendimi mbi familjen është i ndryshëm .nga këtu. Kur jam në SHBA, sigurisht që lidhemi dhe flasim, por tashmë gjuha është pak e ndryshme, pasi ato janë bërë zonja; njëra është 26 dhe tjetra, 21 vjeçe. Nuk mund të them se marrëdhëniet janë normale dhe kjo ma ka shkurtuar jetën, por vjen një ditë dhe e kuptojnë se unë asnjëherë nuk kam qenë për prishjen e familjes. Zgjedhja ka qenë e nënës së tyre, e cila u ka krijuar edhe imazhin negativ për babain e tyre, sa që ato të mos i kenë të domosdoshme bisedat me mua.
Si e përkufizoni veten, me një fjali?
Me një fjali e përkufizoj: Krijesa e Zotit, më me fat!
Së fundmi, një mesazh për fansat …
Kur të mos jem më në këtë jetë, a do të hidhërohet shpirti im më shumë për lotët e fansave apo do të hidhëro¬hen e harrohen çastet dhe duartrokitjet e fansave, që po ma mbushin jetën për çdo çast plot?!
/Telegrafi/