Telegrafi

Frankfurti interesohet për të, Imeri: Ëndërrojë të luaj në Bundesliga

Kastriot Imeri

Kastriot Imeri është duke kaluar sezonin më të mirë në karrierën e tij.

Mesfushori i talentuar nga Kosova ka shkëlqyer këtë edicion me Servetten në Superligën e Zvicrës, duke qenë lojtair kryesor i kësaj skuadre.

21-vjeçari ka shënuar 10 gola e ka asistuar në tre të tjerë në 24 ndeshje zyrtare, derisa ka zgjuar interesimin e skuadrave jashtë kufijve të Zvicrës.

Genoa e Nice e kërkuan në janar atë, por tani garës i është bashkuar edhe skuadra gjermane Eintracht Frankfurt.

Megjithatë ai ka thënë se nuk di për interesimin e Frankfurtit, edhe pse ka deklaruar se ëndërron të luaj në Bundesliga.

“Sinqerisht nuk e di për interesimin e Eintracht Frankfurt, askush nuk më ka thënë për këtë, as agjenti im, vetë atë që kam lexuar. Unë tani për tani jam në Servette dhe kam kontratë deri në vitin 2023, për pjesën tjetër do ta shohim më vonë”, deklaroi Imeri për mediat zvicerane.

Megjithatë ai pranon se ëndërron që një ditë të luaj në elitën e futbollit gjerman Bundesliga.

“Po, do të doja të luaja në Bundesliga. Ky kampionat ka qenë synimi im dhe ëndrra ime që nga fëmijëria”, tha Imeri.

“Babai im është një tifoz i madh i Bayernit, por nuk është vetëm kjo. Më pëlqen Bundesliga dhe ka shumë gjëra interesante. Hapësira, sulmi, mbrojtja, duelet, është i kompletuar dhe mendoj se përputhet me cilësitë e mia”, deklaroi Imeri.

Krejt në fund talenti ferizajas deklaroi se frymëzohet nga Xhaka dhe mesfushorë të tjerë.

“Mund të mësosh duke parë një futbollist dhe të përparosh. Xhaka dhe mesfushorë të tjerë më frymëzojnë”, u shpreh mesfushori me prejardhje nga Kosova që tanimë ka bërë debutimin edhe me Përfaqësuesen A të Zvicrës. /Telegrafi/