Kylian Mbappe shpallet futbollisti më i mirë francez për vitin 2018, sipas revistës “France Football”, që e jep gjithashtu çmimin e “Topit të Artë”.
20-vjeçari ka lënë pas krahëve dy shokët e skuadrës tek kombëtarja, me të cilët u shpall kampion bote, Raphael Varane dhe Antoine Griezmann. Në 2017, lojtari më i mirë francez u shpall mesfushori i Chelsea, N’Golo Kante.
Ky vit ka qenë i shkëlqyer për lojtarin e Paris Saint-Germain, që përveç Botërorit me “Les Bleus”, fitoi gjithashtu kampionatin dhe Kupën e Francës me klubin e tij.
Në total, Mbappe ka shënuar 34 gola gjatë gjithë 2018, 25 me PSG dhe 9 me kombëtaren.
Ky është çmimi i dytë që ish-futbollisti i Monaco merr nga “France Football”, pas “Trofeut Kopa”, si lojtari i ri më i mirë.
Kur fitoi atë çmim, Mbappe madje deklaroi se ky ishte vetëm fillimi i diçkaje të bukur, dhe 2018 nuk do të jetë një vit unik.
Mbappe konsiderohet si një prej talenteve më të mëdhenj në histori, ku që në fillim të karrierës së tij ka fituar jashtëzakonisht shumë.
Legjenda braziliane Pele e ka krahasuar veten me të riun francez, duke u shprehur se në të ardhmen ai do të konsiderohet si një prej më të mirëve në të gjitha kohërat. /Telegrafi/