Kombëtarja e Francës ka fituar me rezultat të ngushtë 4-3 ndeshjen e parë të 1/8-tës ndaj Argjentinës, duke u bërë çerekfinalisti i parë në Kupën e Botës “Rusia 2018”.
Pjesa e parë e takimit ishte thuajse e barabartë, me Argjentinën që posedonte topin dhe menaxhonte lojën dhe me Francën që krijonte rastet, por me të dyja kombëtare që shënuan nga një gol.
Rasti i parë i ndeshjes i takoi francezëve, ku Antoine Griezmann (9′) goditi traversën, para se të shënojë vet në minutën e 13 nga pika e bardhë për 1-0, gol ky që erdhi pas ndërhyrjes në Kylian Mbappe.
Megjithatë, kombëtarja Albiceleste arriti të kthehet në lojë në minutën e 41-të me anë të Angel Di Marias, i cili shënoi një supergol nga distanca për të quar kombëtaren e tij në pushim me barazim 1-1.
Në pjesën e dytë, Argjentina e nisi furishëm duke befasuar Gjelat me një gol të shpejt në minutën e 48-të, ku Gabriel Mercado shënoi për 1-2 pas devijimit që i bëri një goditje të Lionel Messi.
Ky gol shkundi ekipin e Didier Deschamps, të cilët u rikthyen shpejt në lojë duke shënuar edhe tre gola të tjerë për të siguruar fitoren.
Goli i barazimit 2-2 erdhi në minutën e 57-të kur mbrojtësi Benjamin Pavard nuk i la asnjë mundësi portierit Franco Armani duke shënuar gol të bukur nga distanca.
Në minutën e 64-të në skenë u shfaq përsëri Mbappe, i cili pas një veprimi të mirë individual shënoi për epërsinë 3-2, ndërsa në minutën e 68-të sulmuesi i talentuar shënoi për 4-2 pas një kundërsulmi të shpejt.
Deri në fund të ndeshjes, Argjentina u mundua të kthehet në lojë me disa raste të mira, por golin e gjeti vetëm në minutat shtesë me anë të Sergio Agueros, i cili shënoi për 4-3 pas asistimit të Messit, por ky gol nuk mjaftoi pasi në fund Franca fitoi me rezultat 4-3.
Pas kësaj fitore, Franca është ekipi i parë që siguron çerekfinalen, ndërsa do të ndeshet me fituesin e sfidës, Uruguai-Portugali. /Telegrafi/